Shqipëria

Nga Shqipëria në Itali – skema e trafikimit të “të miturve të pashoqëruar”


E përditshmja italiane “Corriere Della Sera”, të martën e 21 shtatorit, ka publikuar një artikull që zbulon skemën e trafikimit të të miturve nga Shqipëria në qytetin e Torinos, Itali.

Të miturit, përgjithësisht të moshës 14-17 vjeç, të cilët vinin nga Shqipëria, detyroheshin të deklaronin se ishin braktisur dhe se nuk kishin askënd në territorin italian.

Këta të fundit merreshin më pas përsipër nga shërbimet e ndihmës së Bashkisë të Torinos – derisa të mbushnin moshën madhore.

Skema e mashtrimit është zbuluar nga Policia Bashkiake e Torinos, në bashkëpunim me policinë hekurudhore, sqaron “Corriere”.

Gjashtëdhjetë persona janë raportuar për krimet e mashtrimit të rëndë në dëm të administratës publike.

Stacioni i trenit “Porta Nuova”, Torino
Ndërtimi i hetimit

Hetimi, i cili filloi në vitin 2019, nxori në dritë skemën pothuajse identike që përdorej gjithmonë nga mashtruesit.

Të miturit mbërrinin në Itali me anije, aeroplan ose autobus, të shoqëruar përgjithësisht nga një prind.

Në Torino, ata priteshin nga të afërm ose miq, të cilët i shoqëronin pranë një zyre policie ose, në raste të rralla, në zyrën bashkiake të të miturve të huaj, duke i lënë më pas vetëm.

Të miturit përfshiheshin në këtë mënyrë në programet e asistencës. Kostoja në terma individualë ishte rreth 3 mijë euro në muaj.

Për të zbuluar mashtrimin u deshën imazhet e kamerave të sigurisë të stacionit të trenit në Torino “Porta Nuova”.

Falë tyre, u bë identifikimi i personave të përfshirë, të cilët i shoqëronin duke i ndjekur në distancë të miturit.

Dëshmitë

Ndër historitë e ndryshme të mbledhura nga hetuesit, ishte ajo e Elin, shkruan “Corriere”, e cila nuk zbulon emrin e vërtetë të së miturës.

Ajo mbërriti në Itali në vitin 2019, në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, në bordin e një autobusi dhe në shoqërinë e babait të saj.

Vajza u paraqit në zyrat e policisë hekurudhore të stacionit të Porta Nuova-s duke e deklaruar veten të mitur të pashoqëruar.

Nga imazhet e kamerave, nga ana tjetër, mund të shihet se e mitura drejtohet te zyra nga dy të rritur.

Sidoqoftë, Elin-i shpjegoi menjëherë se ajo donte të kthehej në Shqipëri.

Skema e filmuar nga kamerat

Pasi e riatdhesuan atë, hetuesit u drejtuan tek prindërit dhe tek kushëriri i saj që jetonin në Torino.

Të njëjtën rrugë kishte ndjekur dhe i afërmi i saj – si i mitur i pashoqëruar.

Ai kishte qenë mysafir i një prej komuniteteve të Torinos vite më parë dhe ishte i njohur me procedurat për të ndihmuar të miturit e pashoqëruar.

Dënimet që mund të variojnë për personat e shoqëruar përllogariten nga 3 deri në 11 vite.

Marrë dhe përshtatur nga Corriere Della Sera për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore