Shqipëria

Nga Samiti i Procesit të Berlinit priten rezultate konkrete dhe marrëveshje të reja


Në konferencën parlamentare mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit” është zbuluar se nga samiti i 16 tetorit në Tiranë priten rezultate konkrete dhe marrëveshje të reja me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, theksoi fillimisht se në aspektin politik palët duhet të jenë të bashkuara dhe të shohin para, duke qenë e vetmja mënyrë se si ky rajon mund të ecë dhe të integrohet.

“Dy vite më parë u krijua një zonë e lirë Roaming, që nga 1 tetori patëm uljen e tarifave. Për të sjellë edhe një shembull domethënës, korridoret e gjelbra që ishin jetike gjatë pandemisë për të mbajtur gjallë tregtinë, marrëveshjet që u mundësojnë njerëzve të udhëtojnë më lehtë. Javës tjetër do i bashkohen edhe rezultate e samitit të datës 16 tetor. Hera e parë që mbahen në rajon, do dalë me rezultate konkrete”, garantoi kryediplomati shqiptar.

Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal – ed.), Majlinda Bregu deklaroi po ashtu se të hënën në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë do të nënshkruhen marrëveshje të reja mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Të dielën Von der Leyen do jetë në rajon. Do takohemi të hënën, disa marrëveshje do nënshkruhen të hënën. Një marrëveshje e re që është përgatitur dhe është gati për t’u nënshkruar. Ballkani po jep një shembull, po jetojmë në kohëra të pasigurta. Jemi rajon që kemi miqësi, konflikte, por përpiqemi të bëjmë maksimumin për këtë proces. Ne duhet të bëhemi bashkë dhe të jemi më të mëdhenj”, tha Bregu.

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë, Luigi Soreca thotë se Ballkani Perëndimor është në Bashkimin Evropian.

“Në zinxhirin e takimeve që kemi organizuar për Procesin e Berlinit, ky takim ka një rëndësi të veçantë për ne. Është shumë e rëndësishme që ministrat dhe drejtuesit e shteteve të takohet, por edhe anëtarët e parlamenteve të rajonit të takohen dhe të tregojnë unitetin e tyre dhe të dalin me deklarata të përbashkëta me të njëjtin zë. Ballkani është pjesë e BE-së”, ravijëzoi fillimisht kryediplomati italian.

Ai shtoi se shpreson që të përgatitemi për samitin e Ballkanit Perëndimor që në mes të dhjetorit do zhvillohet në Bruksel.

“Siç e thashë, në këtë kontekst Procesi i Berlinit luan një rol të rëndësishëm se është një platformë që rajoni të punojmë më shumë për reformat, projektet e integrimit, presim që samiti të hënën të arrijë rezultat sa më praktik në disa fusha, transporti, agjenda digjitale, transporti, energjia dhe tregu i përbashkët. Shqipëria meriton merita si një nga vendet e para që ka marrë përsipër drejtimin”, pohoi Soreca.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla u shpreh gjatë fjalës së saj se gjatë kësaj dekade dhe këtij procesi, në Ballkanin Perëndimor “kemi filluar që të ardhmen të mos e projektojmë nëpërmjet errësirës e paragjykimeve të së kaluarës, por këtë të fundit ta ndriçojnë me dritën e të ardhmes së përbashkët në familjen evropiane”.

“Ky metabolizim i ri në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian duhet, dhe ne fakt ka filluar të krijojë, një proces te ri metabolizimi edhe në marrëdhëniet mes vendeve tona. Le të avancojmë në këtë proces”, nënvizoi kryekuvendarja.

Në përmbyllje ajo vlerësoi rolin dhe kontributin e Komisionit parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, si dy struktura të Kuvendit ku zhvillohet debati politik dhe jetësohet bashkëpunimi parlamentar dhe do të vijojë të mbështesë debatin, bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Zbulohet agjenda e samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore