Vende

Nga janari në maj 42% më shumë turistë të huaj në Shqipëri


Shifrat tregojnë që turistët e huaj po e parapëlqejnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë.

Vendi – edhe pse i vogël – po synon të përdorë historinë unike dhe peizazhin e larmishëm të bregdetit, maleve dhe pyjeve për të tërhequr vizitorë ndërkombëtarë.

Në pesë muajt e parë të vitit 2023, Shqipëria ka tërhequr afro 2.4 milionë (2.389.899) turistë të huaj.

Shifra tregon një rritje prej 42 për qind nga e njëjta periudhë e vitit 2022, referuar të dhënave paraprake nga Ministria e Turizmit.

Vendi, vetëm në muajin maj, ka tërhequr 705 mijë e 79 turistë të huaj, një rritje prej 17 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Në vitin 2022, rreth 7.5 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë, me 33 për qind rritje krahasuar me një vit më parë.

Shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për katër muajt e parë të vitit, treguan që numri i turistëve të huaj arriti në 1.7 milionë.

Një nivel rekord, që vetëm në prill regjistroi plot 614 mijë turistë të huaj.

Ky numër shënoi një rritje me 52,8 për qind, krahasuar me prillin 2022 që ishin rreth 200 mijë turistë më pak.

Shifrat treguan fluksin më të madh turistik të njerëzve nga Evropa, rreth 90 për qind, dhe pjesa tjetër nga kontinentet e tjera.

Rritja e numrit të linjave ajrore për të akomoduar kërkesat e të huajve për të vizituar Shqipërinë, kanë ndikuar edhe në rritjen e vizitave.

Sipas turo-operatorëve, prurjet e turistëve për viti 2023 pritet të kenë një rritje me 35 për qind në krahasim me vitin 2022, duke arritur në mbi 9 milionë, nga 7.5 milionë turistë që ishin një vit më parë.

Nga të dhënat e INSTAT-it, në vitin 2022, mbërritjet ndërkombëtare në Shqipëri arritën në 7.5 milionë, më shumë se dyfishi i popullsisë së vendit dhe me 17.7 për qind më shumë në nivelet e vitit 2019.

Sakaq, indikacionet tregojnë se kjo tendencë mund të vazhdojë.

Qeveria shpreson të shmangë grackat e turizmit masiv.

Përpjekjet për të promovuar një turizëm më të qëndrueshëm dhe për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit mishërohen nga përcaktimi i fundit i Vjosës si Parku i parë Kombëtar i një lumi të egër në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore