Lajme

Sveçla: Nuk po e implementojmë marrëveshjen e vitit 2011


Xhelal Sveçla

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, marrëveshja e arritur më 27 gusht për letrat hyrje-dalje, nuk është derivat i marrëveshjes së vitit 2011, e nënshkruar në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila parasheh Lirinë e Lëvizjes në mes të dy vendeve.

Për Sveçlën, marrëveshja në fjalë ka rënë nga presioni që ka bërë Qeveria e Kosovës, dhe se sipas tij është qesharake të thuhet se ekzekutivit po implementon një sukses të dikujt tjetër.

“Krejt çka ka ndodhur është se Serbia është pajtuar për të larguar fletat për hyrje-dalje. Nuk ka tekst të marrëveshjes 2011. Nuk është duke u implementuar marrëveshja e vitit 2011, ajo ka rënë për shkak të presionit tonë, tashmë nuk ka nevojë për atë marrëveshje fare, as për implementimin e saj as për ndonjë marrëveshje tjetër”, ka thënë ai në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, RTK.

“Marrëveshja e 2011 flet për emetimin e dy anshëm të këtyre fletave. Marrëveshja që për 11 vjet nuk është implementuar, është qesharake të thuhet se kinse ne po implementojnë një sukses të dikujt tjetër të asaj kohe. Nuk do të implementohet marrëveshja e 2011”, ka shtuar ai.

————————————————————————————————————————————————————————————————————————————–

“Nëse Serbia nga mesnata s’e ndalon lëshimin e fletave hyrje-dalje, atëherë reciprociteti vihet në funksion”

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se nëse Serbia në mesnatë nuk ndërpret së lëshuari regjimin e fletave hyrje-dalje për kosovarët që udhëtojnë për në Serbi, atëherë edhe Kosova është e gatshme t’i vë në funksion këto fleta si shenjë reciprociteti për shtetasit serb që hyjnë në Kosovë.

“Këtu është vetëm një opsion, por normalisht do të ketë reagim nga ana jonë nëse ai opsion nuk vihet në funksion. Pra, largimi i këtyre fletëve hyrje-dalje, sipas informative që kemi dhe duke pasur parasysh edhe vendosjen e këtyre panove, në orën 24:00, Serbia do t’i ndërpresë lëshimin e tyre”, ka thënë Sveçla në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK.

Të njëjtën gjë pati lajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një paraqitje publike. Sipas tij më 1 shtator kosovarët të cilët do të udhëtojnë për në Serbi nuk do të kenë nevojë të pajisen me dokumente shtesë përcjellëse, kjo fal marrëveshjes e cila, sipas Kurtit u arrit më 27 gusht.

“Nuk ka dokumente përcjellëse, pra vetëm tregohet karta e identitetit. Pra qytetari i Kosovës kur kalon nëpër Serbi ose kur shkon në Serbi do ta bëjë këtë lirisht, pa marrë asnjë dokument tjetër dhe njësoj kur vjen ai i Serbisë, qysh ka qenë edhe në të kaluarën realisht nuk do të ketë nevojë që as polici jonë t’i jap dokument shtesë”, pati njoftuar Kurti gazetarët për detajet e marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Ndryshe gjatë ditës, shteti serb ka vendosur në muret e të gjitha pikë kalimeve kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë një mbishkrim, në të cilën shkruhet se letërnjoftimet e kosovarëve janë pranuar vetëm sa i përket lehtësimit të lëvizjes së lirë për qytetarët dhe për asnjë qëllim tjetër, duke bërë të ditur kështu se Serbia me këtë “lëshim” nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës.

Një gjë e tillë, ishte kërkesë i drejtpërdrejtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili në ditën e marrëveshjes për kartat e identitetit e kumtoi këtë propozim të tij publikut serb.

Mbishkrimet e vendosura në muret e të gjitha pikë kalimeve kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë

Ishte Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, ai i cili dha lajmin se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për kartat e identitetit u arrit.

Në fakt marrëveshja e arritur më 27 gusht nuk ishte një marrëveshje e re.

Thjesht ishte një zotim i të dyja palëve se tash e tutje do të respektohen marrëveshjet e vitit 2011 për Lëvizje të Lirë e cila parashihte që qytetarët e dy vendeve do lëviznin nga njëri shtet në tjetrin vetëm me kartat e identitetit.

Problemi ishte se Serbia nuk e aplikonte ashtu si ishte arritur marrëveshja dhe u lëshonte kosovarëve edhe nga një letër të bardhë për hyrje/dalje.

Kosova nuk e bënte të njëjtën. Siç ishte shpjegimi atëherë, shteti i Kosovës kishte refuzuar të bëjë për shkak të mos detyrimit të shqiptarëve të Luginës për një letër të tillë.

Por, ka shumë mundësi që nuk bëhej edhe për shkak të rebelimit që do të mund të ndodhte nga ana e serbëve të Kosovës.

Kryeministri aktual, Albin Kurti, vendosi që ta vë në funksion këtë letër të bardhë, nëse Serbia vazhdon me të njëjtën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore