Lajme

“Nëse Qeveria s’vepron me Manastirin e Deçanit, dyert e KiE-së do të jenë të mbyllura”


Ilustrim

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës për gazetarin gjerman, Michael Martens, që për shumë kohë ka shërbyer për media të ndryshme si korrespondent nga Ballkani, është vështirë të ndodhë në rast se Kosova s’e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Aktualisht gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Martens beson se çështja e Manastirit të Deçanit s’ka të bëjë me rëndësinë historike të monumentit, por për të treguar sa e respekton Qeveria e Kosovës sundimin e ligjit.

“Qeveri të ndryshme të Kosovës, duke përfshirë edhe atë aktuale të Albin Kurtit, kanë injoruar disa aktgjykime dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese sipas të cilit manastirit iu dhanë 24 hektarë tokë në një mosmarrëveshje gjyqësore të gjatë”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Kur Gjykata Kushtetuese e një shteti, konsideron gazetari gjerman, jep vendime përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, qeveria dhe autoritetet e atij vendi nuk mund t’i shpërfillin ato.

“Sundimi i ligjit nuk vjen ‘à la carte’. Ju nuk mund të zgjidhni se cilin nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese ju pëlqen dhe zbatoni, dhe cilin thjesht e shpërfillni. Sepse nëse e bëni, kjo ka pasoja”, ka potencuar Mertens.

Prandaj, në vlerësimin e tij nëse Qeveria e Kosovës nuk vepron në këtë drejtim, dyert e Këshillit të Evropës do të mbeten të mbyllura.

“Kjo është për të ardhur keq, pasi zgjidhja e kësaj mosmarrëveshje do të ishte e mundur. Shpejt dhe pa kosto të mëdha politike. Edhe me përfitim, pasi respektimi i shtetit ligjor është vetërespekt në çdo demokraci”.

Shkrimi i Martens vjen në një kohë kur kanë plasur kërkesat ndaj Kosovës për zbatimin e vendimit të gjykatave të Kosovës për tokat rreth Manastirit të Deçanit.

Javën e kaluar ishte fillimisht Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Barbano, që këroi zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

“Vënia në pikëpyetje e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve gjyqësore minon pavarësinë e gjyqësorit, duke gërryer shtetin e së drejtës. Vendimi i vitit 2016 për Manastirin e Deçanit është i detyrueshëm për të gjithë personat dhe institucionet, pa përjashtim”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Pas tij ishte ambasadori gjerman, Jorn Rohde që shpalosi kërkesën e njëjtë.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Rohde ka potencuar se të gjithë miqtë dhe partnerët e Kosovës aktualisht e kanë të njëjtën kërkesë.

Kjo kërkesë kishte daluar edhe në raportin që e përpiluan juristët eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert, që në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, bënë vizitë në Kosovë.

Misioni faktmbledhës i tyre disa ditor kulmoi me një raport, në të cilin ndër të tjera kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor e përmbajtja nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

Raporti 28 faqesh i publikuar nga Këshilli i Evropës është ndarë në gjashtë pjesë ku analizohet korniza kushtetuese e Kosovës, Demokracia, Zbatimi i Ligjit e Drejtat e Njeriut.

Raporti i Këshillit të Evropës ndër të tjera vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit.

Këshilli i Evropës: Asociacionin, manastiret dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit – nëse doni anëtarësim këto janë kushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore