Lajme

Nëse NATO nuk na anëtarëson duam garanci sigurie, thotë Zelensky


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, beson se vendet anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) duhet të japin garanci ligjore të sigurisë për Ukrainën.

Kjo, nëse nuk janë të gatshme të pranojnë anëtarësimin e Ukrainës.

Zelensky e bëri me dije këtë deklaratë gjatë një interviste të përbashkët për “Reuters” dhe “CNN”.

Presidenti po i kërkon komunitetit ndërkombëtar të bëjë më shumë për të mbështetur Ukrainën.

Zelensky ka bërë thirrje prej disa ditësh për futjen e një zone të ndaluar fluturimi mbi territorin ukrainas.

“Ne nuk po flasim për futjen e vendeve të NATO-s në luftë. E vërteta është se të gjithë janë angazhuar prej kohësh në luftë dhe padyshim jo nga Ukraina, por edhe nga Rusia – një luftë në shkallë të gjerë po zhvillohet”, tha presidenti ukrainas.

Siç vuri në dukje kreu i shtetit, presidenti amerikan Joe Biden i tha atij se nuk ishte koha për të vendosur një masë të tillë.

“Partnerët tanë, nëse nuk janë të gatshëm ta marrin Ukrainën në NATO… meqenëse Rusia nuk dëshiron që Ukraina të jetë në NATO, ata duhet të punojnë për garancitë e përbashkëta të sigurisë për Ukrainën”, ravijëzoi në përmbyllje Zelensky.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore