Lajme

“Nëse Asociacioni krijon vija ndarëse, konfederata me Shqipërinë bëhet e pashmangshme” – Ymeri e Matoshi flasin për publikimin e Albanian Post


Mitrovica e Veriut

Qeveria e Kosovës nuk shkon dot më poshtë sesa ajo për të cilën është pajtuar dhjetë vjet më parë, thotë ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, derisa publicisti Halil Matoshi, pohon se nëse zgjedhet çfarëdo autonomie territoriale dhe krijohet vijë ndarëse, një konfederatë eventuale me Shqiperinë do të bëhet e pashmangshme.

Kështu thonë analistët politikë pasi kanë analizuar publikimin e Albanian Post që jep shembuj konkretë dhe modele evropiane në bazë të së cilave mund të hartohet statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ekzekutivi kosovar nuk mund të shkojë më poshtë se ajo për të cilën është pajtuar në vitin 2013 meqë të drejtat dhe garancitë për serbët llogariten sikur të drejta tashmë të fituara, thotë për Albanian Post, Visar Ymeri, drejtor i Institutit “Musine Kokalari”.

Përkundrazi, thekson ai për AP, ekziston mundësia të lëvizet drejt një niveli më të lartë të autonomisë, sepse Marrëveshja e Brukselit – e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, që njihet si Marrëveshja e Parë – mund të mos jetë baza sipas së cilës do të adresohet çështja e komunitetit serb në Kosovë.

Ndërkaq, gazetari dhe analisti politik, Halil Matoshi, mendon se shteti i Kosovës duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe vetëm dhe ekskluzivisht sipas Marrëveshjes së Parë (2013) dhe verditktit të Gjykatës Kushtetuese (2015), e assesi sipas modeleve evropiane të autonomive politike e territoriale.

“Ideja themeltare është që të ruhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës, i cili nëse krijon një vijë ndarëse me komunat në veri, e pushon arsyen historike dhe politike pse duhet të ekzistojë si shtet sovran dhe një lidhje konfederale me Shqipërinë do të jetë e pashmangshme”, vlerësoi Matoshi për AP.

Ymeri nga ana tjetër, pohoi se aranzhimi i ri për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe mund të kërkoj ndryshim të kushtetutës, ose hapje e mundësisë kushtetuese që përmes statutit të krijohen aranzhime të tilla të autonomisë territorialo-kulturore, të cilat nuk i dedikohen vetëm Asociacionit, por që hapin formalisht mundësi për të gjithë.

“Çfarëdo aranzhimi i ri për të cilin do të merremi vesh nuk kufizohet më me gjykimet e kushtetueses meqë ato i janë dedikuar një aranzhimi të së kaluarës i cili nuk duket të jetë më bazë e negociatave”, vlerësoi ai për AP.

“Gjykuar nga shembujt që do të merren për bazë, do të gjej një formë kreative të kombinimit mes autonomisë territoriale për veriun, e asaj socialo-kulturore për komunat tjera me shumicë serbe”, shtoi Ymeri.

Pyetja që duhet shtruar në këtë kontekst, thotë Ymeri, është se çfarë ndikimi do të ketë një aranzhim i tillë, në rast se ai shkon përtej asaj që është arritur më 2013 dhe 2015, në pikat tjera të Planit Evropian, e veçanërisht në nivelin e njohjes së sovranitetit të Kosovës nga Serbia.

“A do ta thellojë këtë njohje (deri në njohje formale) rritja e ingerencave autonome për Asociacionin?”, është pyetja e cila sipas tij, do të marrë një përgjigje kur të fillojnë diskutimet për aranzhimin e ri në kuadër të “Marrëveshjes Bazë” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, derisa në më pak se dy javë palët duhet të pajtohen me krejt çfarë u është kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekzistojnë pajisje të ndryshme me anë të cilave grupet mund të arrijnë autonomi të pjesshme brenda një shteti territorial ekzistues. Në një rast të veçantë kjo do të varet edhe nga karakteri i grupit të përfshirë dhe marrëdhëniet e tij me komunitetin shumicë.

Derisa në Evropën e rajoneve, sipas propozimit të Këshillit të Evropës, autonomitë nuk paraqesin kurrfarë problemi për funksionimin e shteteve përkatëse, në Ballkanin Perëndimor autonomitë zakonisht kuptohen si para-shtete që presin momentin për t’u proklamuar si të pavarura.

Por, në thelb, ajo që kërkohet është një zgjidhje kushtetuese që krijon një institucion përfaqësues për njerëzit dhe i cakton atij kompetenca legjislative dhe politikëbërëse për çështje që janë thelbësore për identitetin dhe mirëqenien e tyre materiale.

Një shembull aktual do të ishin institucionet qeveritare të krijuara në Kataloni dhe në vendin bask, të cilave sipas kushtetutës spanjolle u jepet përgjegjësi për shumë çështje, përfshirë politikën mjedisore, mirëqenien sociale dhe çështjet kulturore.

Për grupet më të vogla, të tilla si populli Lapp ose Saami në vendet nordike, një këshill ose parlament i zgjedhur, i cili mund të negociojë me qeverinë përkatëse mbi përdorimin e burimeve në territorin tradicional të popullit Sami dhe të ushtrojë njëfarë kontrolli mbi arsimin dhe çështjet kulturore, mund të jetë një zgjidhje më efektive.

Ideja qendrore është që të ruhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe burimet për Albanian Post thonë se do të ketë kombinim në mes të modeleve që përbëjnë autonomi territoriale dhe jo territoriale, zona vetë-menaxhuese dhe kombinime të tjera.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Marrëveshja do të përmbajë edhe një Aneks që synon të sigurojë zbatimin e të gjitha dispozitave të saj. Aneksi ka mbetur që të negociohet. Në momentin që ka pajtim për Aneksin, i gjithë instrumenti, Preambula, 11 nenet dhe dispozitat për implementimin mund të nënshkruhen.

Në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por me nenin 7 dhe 10 parashihet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Ekskluzive: Të gjitha modelet evropiane që u shqyrtuan për të formuar Asociacionin “sui generis” në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore