Stil

Nensi Dojaka, stilistja shqiptare që ka udhëhequr rishfaqjen e veshjeve ‘sexy’


Nensi Dojaka nuk është më një emër i padëgjuar.

Stilistja me origjinë shqiptare ka veshur yje nga Zendaya te Sienna Miller me veshjet e saj tejet sensuale.

Që nga viti 2019, fustanet e projektuara me zgjuarsi të Dojakës – një kolazh delikat me prerje që kalojnë hapësirën midis të brendshmeve dhe veshjeve – e kanë bërë atë të dashur për industrinë e modës.

Duket se ajo ka udhëhequr ringjalljen e sotme të veshjes seksi, një mantel që ajo e hedh poshtë me modesti.

“Mendoj se shumë marka po e bëjnë këtë për momentin, kështu që nuk dua të marr përgjegjësinë për të rikthyer veshjet seksi”, ka thënë ajo.

“Personalisht, nuk e shoh si zbuluese. Për mua është normale, mendoj se njerëzit e pranojnë më shumë atë dhe trupin femëror”, ka treguar dizajnerja.

Dojaka dhe ekipi i saj i po punojnë me zell për koleksionin e ardhshëm në studion e markës me pamje nga Highbury Fields.

Fytyra e saj, përveç një buzëkuqi të kuq, tregon një figurë të butë që mund të duket në kundërshtim me modelet e saj të guximshme dhe tërheqëse.

E lindur në Tiranë, ku moda “nuk ekziston realisht si industri”, Dojaka kishte gjithmonë një interes për veshjet: ajo shpesh e gjente veten duke skicuar vajza me fustane gjatë klasave të vizatimit.

U zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar për të ndjekur shkollën në Shrewsbury në adoleshencën e saj, e ndjekur nga një vit themelimi në Central Saint Martins, ku një mësuese e inkurajoi atë që të specializohej në veshje të brendshme sepse gjithmonë bënte dizajne në shkallë shumë të vogël mbi manekinet.

U diplomua po me këtë specializim në Kolegjin e Modës në Londër dhe po ashtu kreu një master për veshjet e grave në Central Saint Martins.

“Kam mësuar shumë gjatë atyre dy viteve. Dhe më pas vetëm të punosh në markë ka qenë një proces mësimi”, ka thënë ajo.

Në vitin 2020, Dojaka u fut në grupin e Fashion East, inkubatori i talenteve i drejtuar nga Lulu Kennedy që ndihmoi në nisjen e karrierës së Jonathan Anderson dhe Kim Jones.

Shfaqja e saj debutuese në pistë – e cila paraqiste minifustane të dekonstruktuara – ishte një moment kryesor i Javës së Modës në Londër.

Një vit më vonë, ajo fitoi çmimin e Fondacionit të Këshillit Britanik të Modës për stilistë në zhvillim dhe çmimin LVMH, dhurimi i të cilit i mundësoi asaj të zgjeronte ekipin dhe ofertën e saj, si dhe të zhvendoste prodhimin në Itali.

“Ekspozimi ishte më i madh se çdo gjë tjetër që kishim bërë më parë. Papritmas shumë njerëz filluan të dëgjonin për markën, e cila më pas u reflektua në shitje”, ka trguar ajo lidhur me çmimin.

Dizajni i saj – një kombinim i minimalizmit të zhveshur, i kombinuar me një metodë shumë të konstruktuar dhe të saktë të shtresimit dhe veshjes së pëlhurës në trup – kanë goditur një akord.

Shitjet për koleksionin e saj Pranverë-Verë 2023 janë rritur me 127 për qind nga sezoni i kaluar, ndërsa globalisht shifrat e saj të aksionerëve janë rritur nga 59 në 90.

Këngëtarja Rita Ora mori pjesë në çmimet më të fundit të modës BFC e veshur me një fustan të kuq të tejdukshëm nga koleksioni i Dojakës.

“Dizajnet e saj i bëjnë të gjithë ata që i veshin të ndihen të fuqizuar, dinamikë dhe të patëmetë”, ka thënë Ora.

Tani, Dojaka po zgjeron ofertën e produkteve të saj për të përfshirë më shumë veshje të sipërme, si dhe kategori të reja si këpucë dhe çanta.

Këtë muaj, stilistja ka prezantuar një koleksion fustanesh nusërie prej 24 pjesësh me Mytheresa-n, frymëzuar nga fustanet e saj në tapetin e kuq.

Me gjithë suksesin e saj të hershëm, Dojaka është e sinqertë në lidhje me presionet dhe nganjëherë kërkesat e pangopura nga industria, veçanërisht për dizajnerët e rinj dhe të pavarur.

“Ndjehet sikur duhet të bësh diçka gjatë gjithë kohës që të mbetesh e rëndësishme dhe ta postosh në Instagram, gjë që nuk më pëlqen ta bëj, por është pjesë e punës”, ka veçuar ajo.

“Vazhdimisht duhet t’u kujtoj njerëzve që jam këtu, sepse shtëpitë e mëdha bëjnë aq shumë dhe nuk lënë shumë hapësirë për markat më të vogla”, ka sqaruar stilistja.

Lidhur me drejtimin e biznesit, ajo ka treguar se ka qenë sfiduese.

“Ka pasur ulje-ngritje emocionale. Thjesht merr shumë nga koha dhe komprometon anën krijuese të gjërave. Nuk më kujtohet hera e fundit që shkova në shtrat dhe nuk po mendoja për biznesin”, ka shtuar ajo.

Megjithatë, Dojaka është optimiste dhe e ekuilibruar për fazat e ardhshme për markën, e cila është në rrugën e duhur për t’u bërë fitimprurëse këtë vit.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore