Lajme

Nëna e James Foley-t dëshmon në gjyqin e ekzekutuesit të dyshuar të djalit të saj


Nëna e gazetarit të vrarë amerikan, James Foley, ka thënë gjatë një gjyqi se në fillim shpresonte që raportimet e ekzekutimit të djalit të saj ishin “një shaka mizore”.

“Nuk doja ta besoja”, ka thënë Diane Foley në gjyqin e El Shafee Elsheikh, i cili akuzohet për vrasjen e James Foley dhe tre amerikanëve të tjerë në Siri.

“Shpresoja se ishte thjesht një shaka mizore”, ka vijuar ajo.

Sakaq, ka treguar se e kuptoi ditën kur presidenti amerikan Barack Obama doli në televizion për të konfirmuar se James ishte ekzekutuar me të vërtetë nga robëruesit e tij të ISIS-it.

Diane Foley, e cila është përpjekur për të siguruar lirimin e djalit të saj, ka treguar se James, një reporter me përvojë luftarake, u nis për në Siri në tetor 2012 dhe premtoi se do të kthehej për Krishtlindje.

Por familja nisi të shqetësohej kur ai nuk telefonoi në nëntor në Ditën e Falënderimeve.

“Gjithmonë na telefononte gjatë festave”, ka thënë ajo.

Më pas, familja u informua nga një koleg i tij se ai ishte rrëmbyer.

“Ato nëntë muajt e parë, nuk e dinim nëse ishte gjallë apo jo”, ka thënë ajo.

Prova e parë e prekshme se James ishte gjallë erdhi kur rrëmbyesit e tij dhanë përgjigje me email për tre pyetje që vetëm ai do t’i dinte.

Mirëpo, asnjë komunikim nuk kishte nga rrëmbyesit nga dhjetori 2013 deri në gusht 2014, kur familjarët morën një email kërcënues.

Në të paralajmërohej se James do të ekzekutohej si hakmarrje për një fushatë bombardimi amerikan kundër ISIS-it. Dhe, disa ditë më vonë, ai u vra në një video të tmerrshme që u publikua në internet.

Elsheikh dyshohet se ishte një anëtar i celulës famëkeqe të rrëmbimit dhe vrasjes së ISIS-it, e njohur për robërit e tyre si “Beatles”, për shkak të theksit të tyre britanik.

Grupi ka rrëmbyer 27 persona në Siri midis viteve 2012 dhe 2015, duke përfshirë një numër gazetarësh evropianë, të cilët u liruan pas pagesës së shpërblimit.

Videot e ekzekutimeve brutale janë publikuar nga ISIS-i për qëllime propagandistike.

Elsheikh dhe një tjetër ish-shtetas britanike, Alexanda Amon Kotey, u kapën në janar 2018 nga një milici në Siri, teksa po përpiqeshin të iknin në Turqi.

Ata iu dorëzuan forcave amerikane në Irak dhe u dërguan në Virxhinia në tetor 2020 për t’u përballur me akuzat e marrjes së pengjeve, komplotit për vrasjen e qytetarëve amerikanë dhe mbështetjes së një organizate të huaj terroriste.

Sakaq, Kotey u deklarua fajtore në shtator 2021 dhe po përballet me burgim të përjetshëm.

Kurse Elsheikh i ka mohuar akuzat dhe avokatët e tij pretendojnë se arrestimi i tij është një rast i identitetit të gabuar. Dhe nëse shpallet fajtor, ai përballet me burgim të përjetshëm.

Marrë nga “Asharq Al-Awsat”, përshtatur nga “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore