Lajme

Në Spanjë zbulohet kompleksi i madh megalitik me më shumë se 500 gurë


Në Spanjën jugore është zbuluar një kompleks i madh megalitik me më shumë se 500 gurë që mund të jetë një nga më të mëdhenjtë në Evropë.

Gurët u zbuluan në një ngastër toke në Huelva, një provincë që rrethon pjesën më jugore të kufirit të Spanjës me Portugalinë, pranë lumit Guadiana.

Toka, më një sipërfaqe prej rreth 600 hektarësh, ishte caktuar për një plantacion avokadoje.

Para dhënies së lejes, autoritetet rajonale kërkuan një studim në dritën e rëndësisë së mundshme arkeologjike të sitit. Dhe arkeologët zbuluan praninë e gurëve.

“Ky është koleksioni më i madh dhe më i larmishëm i gurëve të grupuar së bashku në gadishullin Iberik”, ka thënë José Antonio Linares, një nga tre drejtuesit e projektit.

Sipas atij, është e mundur që gurët më të vjetër në vendin La Torre-La Janera të jenë ngritur gjatë gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të VI ose të V para Krishtit.

“Është një vend i madh megalitik në Evropë”, ka theksuar ai.

Atje, arkeologët gjetën një numër të madh të llojeve të ndryshme të megaliteve.

“Gurët që qëndrojnë në këmbë ishin gjetja më e zakonshme, me 526 prej tyre ende në këmbë ose të shtrirë në tokë”, kanë thënë studiuesit.

Sakaq, lartësia e gurëve ishte nga një deri në tre metra.

Në vendin megalitik Carnac në Francën veriperëndimore, ka rreth tre mijë gurë që qëndrojnë në këmbë.

Një nga gjërat më të habitshme ishte gjetja e elementëve kaq të ndryshëm megalitikë të grupuar së bashku në një vend dhe zbulimi se sa mirë ishin të ruajtura.

“Gjetja e dolmenëve në një vend nuk është shumë e zakonshme. Këtu gjen gjithçka të gjitha së bashku dhe kjo është shumë e habitshme”, ka thënë Primitiva Bueno, bashkëdrejtoreshë e projektit.

Shumë prej gurëve janë varrosur thellë në tokë. Ata do të duhet të gërmohen me kujdes.

Puna është planifikuar të zgjasë deri në vitin 2026, por “midis këtij viti dhe fillimit të vitit të ardhshëm, do të ketë një pjesë të sitit që mund të vizitohet”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore