Lajme

Në Serbi, qindra protestues kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç-it


Qindra qytetarë u mblodhën para Qeverisë së Serbisë për të protestuar me ftesë të Shoqatës së Organizatave Mjedisore të Serbisë (SEOS), e cila pretendon se kompania Rio Tinto ende po blen prona në Jadra dhe se ky projekt nuk është ndalur, raporton Danas.

Demonstruesit e pranishëm kërkuan dorëheqjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministres Ana Brnabiç.

Organizatorët e protestës njoftuan se do të qëndrojnë para Qeverisë së Serbisë deri në plotësimin e kërkesave.

Sipas Danas, Zlatko Kokanoviç nga SEOS i ftoi demonstruesit e mbledhur të dalin në rrugë.

Aktivistët e Partisë Popullore mbajtën pankartën “nuk duam Rio Tinto” dhe flamuj me emblemat e kësaj partie.

Vitin e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pati treguar nëntë dokumente që miratojnë punimet në minierën Rio Tintos në Serbi, të gjitha të miratuara në periudhën 2004-2012.

Siç tha ai, në vitin 2004, Ministria e Minierave dhe Energjetikës nxori një vendim që lejonte Rio Tinto të eksploronte në territorin e Loznicës.

“Ju e dini se kush ishte në pushtet, është e qartë për të gjithë se kjo është qeveria e mëparshme në të cilën ishin Djilas, Jeremiç, Tepic, Tadiç, Zelenoviç dhe të gjithë të tjerët”, theksoi Vuçiç.

Miratimi i Ligjit për Referendum dhe ai për shpronësime pati nxitur protesta masive në Serbi edhe vitin e kaluar.

Aktivistë të mjedisit dhe qytetarë të shumtë, të shtunën e 27 nëntorit patën bllokuar qarkullimin në disa qytete, ku nuk kanë munguar edhe përleshjet me policinë serbe.

Protestat u zhvilluan në Beograd, Novi Sad, Preljina, afër Kragujevcit, në Shabac, Valjevë, por edhe në qytete të tjera.

Gjatë bllokadës së protestuesve nga ana e policisë ka pasur përleshje të ashpra në Beograd dhe Novi Sad, ku edhe kanë ndodhur arrestime të protestuesve.

Protestuesit mjedisorë prej muajsh kërkojnë përfundimin e planit, pasi janë të shqetësuar për sasinë e ndotjes që do të krijonte miniera.

Serbia është tashmë një nga vendet më të ndotura në Evropë dhe do të duhet të shpenzojë miliarda për të arritur objektivat e vendosura nga BE për pranimin e mundshëm në bllok.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore