Lajme

Në Serbi paralajmërohen protesta të dhunshme në kundërshtim të planit evropian


Ilustrim

Lideri i Partisë me elemente ideologjike ultra të djathta serbe “Dveri”, Boshko Obradoviç është shprehur se protesta e paralajmëruar kundër planit franko-gjerman për ditën e premte mund të shndërrohet në “rebelim të përgjakshëm kundër qeverisë”.

Obradoviç ftoi të gjithë serbët dhe partitë opozitare serbe që sipas tij janë “në favor të ruajtjes së Kosovës si pjesë e Serbisë”, për të marrë pjesë në protestë dhe shtoi se Qeveria e Serbisë “po e shet Serbinë dhe interesat kombëtare, shtetërore, ekonomike dhe ekologjike”.

“Ka potencial, do të shohim nëse do të arrijmë ta realizojmë, pavarësisht dallimeve politike dhe ideologjike për disa çështje të tjera, të bashkojmë forcat për të kërkuar dorëheqjen e Vuçiç’it si shkatërrues i kushtetutës dhe të kërkojmë zgjedhje të jashtëzakonshme presidenciale dhe parlamentare”, tha ai.

Protesta kundër pranimit të planit franko-gjerman do të mbahet simbolikisht më 17 mars, pasi organizatorë po e konsiderojnë këtë ditë kinse si “përvjetorin e vuajtjeve të popullit serb në Kosovë”.

Kosova dhe Serbia të hënën e 27 shkurtit, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Ndërsa me 18 mars të dy liderët do të takohen përsëri për të diskutuar për planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel më 27 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore