Lajme

Në Serbi frikësohen se qëndrimi i Rusisë karshi Kosovës po ndryshon


Fotografi pas takimit të Sergey Lavrov dhe Ivica Daçiç, kur edhe ky i fundit ishte Ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, në vitin 2018.

Deklarimet e Ministrit të Jashtë të Rusisë, Sergey Lavrov, se shteti i tij pranon si zgjidhje për Kosovën, çkado që e pranon fillimisht edhe Serbia, është nënkuptuar në shtypin serb si një ndryshim i pozicionit rus karshi statusit së Kosovës.

Siç shkruan gazeta serbe që publikohet në anglisht, V.I.P Daily News Report, ka analistë që po thonë se kjo deklaratë e Lavrov-it duhet të kuptohet pikërisht në këtë frymë, si rrëshqitje e Rusisë drejt një qëndrimi të ri.

“Ndryshe nga Spanja që vazhdon të mbajë qëndrimin e mëhershëm, një lëvizje e sigurt në qëndrime është vërejtur te Rusia, pas takimit që u zhvillua në Moskë, mes kryeparlamentarit serb, Ivica Daçiç dhe Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavorv”, shkruan gazeta.

Për të argumentuar këtë qëndrim, shkrimi rikujton se si Rusia për kohë të gjatë me fanatizëm ka mbrojtur Rezolutën 1244 të OKB-së, sipas të cilës Kosova asnjëherë nuk është pavarësuar nga Serbia.

“I ka qëndruar kësaj edhe kur zyrtarët në Beograd filluan të propozojnë ndarjen e Kosovës, duke e quajtur demarkim”, vazhdon shkrimi.

“Tani Lavrov thotë se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë integritetin territorial të Serbisë, porse gjithashtu do të pranojë ‘çfarëdo zgjidhje për Kosovën që është e pranueshme fillimisht nga Serbia’”.

“Kjo, sipas disa analistëve, tregon se Moska po i dërgon sinjal Beogradit se Rusia gjithashtu pranon ndonjë zgjidhje tjetër që autoritete serbe e negociojnë me Kosovën”.

Mediat në Serbi edhe ditë më parë kanë raportuar përafërsisht në të njëjtën frymë edhe për një vend mosnjohës. Sipas shtypit serb Greqia gjithashtu po mendon ta njohë Kosovën dhe se kjo po vjen pas presioni amerikan.

Megjithatë, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post zyra për media e Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, pati mohuar këto raportime, duke thënë se qëndrimi i Greqisë nuk ka ndryshuar në raport me statusin e Kosovës, porse vazhdimisht i ka dhënë mbështetje procesit të dialogimit.

“Athina ka ndjekur një qasje konstruktive ndaj Prishtinës, duke e mbajtur që nga viti 2019 një zyrë të Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike të Kosovës në Athinë dhe punon me Kosovën për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme”, thuhej në përgjigjen e zyrës së Dendias.

Këto interpretime mediatike në Serbi vijnë pak para rifillimit të dialogut në mes të Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Atje, në mes të qershorit, pritet takimi i parë në raundin e ri në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksnadër Vuçiç.

Në funksioni të kësaj nisje të re erdhi edhe vizita e Zëvendës-ndihmës Sekretarit të Shtetit Amerikan, Matthew Palmer dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Të dy diplomatët në konferencën për media pas takimit me zyrtarët institucionalë e partiakë në Kosovë, dolën me qëndrimet se ata janë vetëm mbështetës të procesit dhe lehtësues të bisedimeve, por zgjidhja përfundimtare duhet të vijë nga vetë Kosova e Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore