Shqipëria

Në pranga pronarët e dy depove farmaceutike në Lezhë, u gjetën artikuj pa elementë sigurie


Në Lezhë, pronarët e dy bizneseve farmaceutike janë arrestuar nga policia.

Ata akuzohen për shitje të ilaçeve dhe artikujve farmaceutikë, pa elemente sigurie.

Sipas policisë, për njërin rast u arrestua një 34-vjeçar që kishte fshehur në dy subjektet që kishte në pronësi (farmaci dhe magazinë të një marketi), 300 kuti me ilaçe jashtë kritereve, me vlerë rreth 10 mijë euro.

Kurse për rastin tjetër u procedua penalisht administratori i një kompanie farmaceutike, pasi në automjetin e kompanisë, u gjetën 200 artikuj ortopedikë dhe aksesorë parafarmaceutikë, pa dokumentet shoqëruese që kërkon ligji.

Në kuadër të kontrolleve në subjekte ekonomike të ndryshme, u vu në pranga pronari i dy prej bizneseve, shtetasi A. D., 34 vjeç, banues në Lezhë, pasi kishte fshehur në ambientet e farmacisë dhe në raftet me produkte ushqimore, në magazinën e një marketi, 300 kuti me ilaçe, një pjesë e të cilave nuk kishte elementin e autenticitetit në ambalazhe, ndërsa pjesa tjetër nuk kishte pullën e Agjencisë Shtetërore të Barnave.

Po ashtu u procedua penalisht administratori i një kompanie farmaceutike, shtetasi S. I., 52 vjeç, banues në Durrës, pasi në automjetin në pronësi të kësaj kompanie, u gjetën 200 artikuj ortopedikë dhe aksesorë parafarmaceutikë, pa elementin e autenticitetit në ambalazhe dhe pa fatura tatimore.

Policia sekuestroi si provë materiale, 300 kutitë me ilaçe dhe 200 artikujt.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore