Lajme

Në ora 15:00 nis takimi mes Bislimit dhe Petkoviç-it


Zëvendës-kryeministri i Kosovës dhe formalisht krye-negociatorin në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, do të takohet me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, këtë të mërkure në ora 15:00, raportojnë mediat serbe.

Por, për momentin nuk dihet saktë agjenda e bisedimeve apo nëse në to do të marrë pjesë shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borej.

Udhëtimi, siç mëson Albanian Post nga burimet në Bruksel, vjen në kuadër të përpjekjeve dy ditore për të gjetur një zgjidhje rreth çështjeve të targave.

Ishte edhe vetë zëdhënësi i Bashkimit Evropian që në një përgjigje të tij për Albanian Post deklaroi se dyditëshi i shtyrjes do shfrytëzohet për takime.

“Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për të gjetur një zgjidhje”, theksoi Stano për AP.

Edhe para takimit të fundit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, Bislimi kishte udhëtuar për Bruksel, por siç u kuptua të hënën, pa rezultat për çështjen e targave ilegale që lëshon Serbia me inicialet e qyteteve të Kosovës.

Përpjekjet po bëhen si kërkesë amerikane, pas pranimit të Kurtit që të shtyjë vendimin për masën e gjobitjes edhe për dy ditë, duke iu përgjigjur ftesës për edhe një raund bisedimesh me shpresë zgjidhjen më afatgjatë të çështjes.

Siç u kuptua pas takimit të djeshëm në Bruksel, BE-ja kishte një propozim në tavolinë i cili kërkonte nga Serbia që të mos emetojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobis shoferët që vozisin makina me targa ilegale.

Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.

Kërkesa për bashkim propozimesh nuk ishte pranuar, prandaj Kurti refuzoi të vë nënshkrimin.

Kur mbetën edhe pak orë para se të nis zbatimi i vendimit për gjoba, natën vonë doli ambasadori amerikan me një deklarim publik në Twitter dhe kërkoi shtyrje 48 orëshe.

Jeff Hovenier shprehu shqetësim për mos arritjen e marrëveshjes dhe kërkoi edhe një sforcim në këtë drejtim.

Tre minuta më vonë, po në Twitter u përgjigj Kurti pozitivisht.

Të martën, kryeministri ka njoftuar se më s’ka pasur komunikim me Brukselin dhe se tani ai ka kaluar në relacionin SHBA-Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore