Lajme

BE i përgjigjet vendimit të Kurtit për shtyrjen prej 48 orësh


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Albanian Post ka thënë se BE-ja do ta shfrytëzoj periudhën prej 48 orëve për të vazhduar dialogun me Kosovën dhe Serbinë me synimin për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave.

“Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për të gjetur një zgjidhje”, theksoi Stano për AP.

Në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, të hënën e 21 nëntorit në Bruksel, ndërmjetësuesit e BE-së, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak paraqitën dy propozime kompromisi, që sipas tyre, do të kishin de-përshkallëzuar situatën aktuale.

“Fatkeqësisht, ende nuk është arritur një marrëveshje për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve”, pohoi Stano dhe shtoi se “nëse anëtarësimi në BE është objektivi përfundimtar i Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë zotuar të dyja, ne presim që edhe ata të veprojnë në përputhje me rrethanat”.

Ndryshe, të hënën në mbrëmje, Kurti, ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.

Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.

“Jam i lumtur të punoj me SHBA-të dhe BE-në në gjetjen e një zgjidhje gjatë këtyre dy ditëve”.
Ambasadori në deklarimin në njoftimin e tij shkroi se “SHBA-të janë të shqetësuara që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk mundën që të arrijnë marrëveshje sot për krizën aktuale në Kosovë”.

“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë që t’i mundësojnë BE-së dhe SHBA-ve gjetjen e një zgjidhje”, thuhet në deklaratën e Hovenier.

Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.

Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.

Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.

Vuçiç është pajtuar me propozimin.

Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.

Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore