Kosova

Në nëntor pati planifikime për një sulm në Zubin Potok, u anulua për shkak të zgjedhjeve në Serbi, thotë Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se gjatë muajit nëntor të këtij viti, pra rreth dy muaj pas sulmit terrorist në Kosovë, ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të Komunës së Zubin Potokut.

“Me qëllim marrjen e vilës së Radojiçiç-it në brigjet e liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”.

Planet paraprake hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovës, sipas Kurtit, kanë ndryshuar pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë.

Në poligonin e ushtrisë serbe në Peshterë, i cili gjendet afër Sienicës në rajonin e Sanxhakut, sipas Kurtit, kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarësh të grupit terrorist “Mbrojtja Civile” të cilët kanë qenë pjesëmarrës edhe në sulmin terrorist në Banjë dhe vlerësohen si personat më të besueshëm të Radojiçiç-it dhe shtetit serb.

“Ky grup pati planifikuar sulm ndaj Policisë së Kosovës pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”.

Për këtë qëllim, sipas Kurtit, raportohet se ka pasur lëvizje edhe nga ushtria e Serbisë, e cila ka stacionuar ushtarët e saj në disa pika në afërsi të kufirit me Kosovën në lokacione ku parashiheshin këto sulme.

“Pjesëtarët e grupit terrorist që kanë ikur nga Kosova janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur ‘Goç’ një bjeshkë afër Kralevës ku është e vendosur njëra ndër bazat më të mëdha të xhandarmerisë serbe në rajon”, theksoi ai.

Kurti më tej bëri të ditur se një arsenal armësh sipas informacione po fshihet në një hotel në Banjë të Novi Pazarit, rreth 25 kilometra në distancë nga pika kufitare Jarinje.

“Kjo hapësirë besohet që të jetë në pronësi të grupit terrorist i cili ka marrë pjesë në sulmin e Banjës”.

Kurti alarmon: Radojiçiç po përgatitet për sulme të reja në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, i cili ishte pjesë e grupit terrorist që sulmoi Kosovën më 24 shtator, po vazhdon përgatitje për sulme të reja në Kosovë.

Sipas Kurtit, Radojiçiç sulmet po i përgatit në bashkëpunim me disa pjesëtar të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”.

“Radojiçiç është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarët të lartë të shërbimit sekret serb BIA, ambientet e firmës ‘Jablanovica’ në Rashkë ngjashëm me ato të Novi Pazarit ‘Novi Pazar Put’ po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radojiçiç grupi i tij”, tha Kurti.

Kurti gjatë fjalimit të tij në konferencë për media tha se disa nga pjesëtarët e grupit terrorist “Mbrojtja Civile” po kryejnë vëzhgime brenda territorit të Kosovës.

“Në këtë ndertës strehohen disa nga pjesëtarët e grupit terrorist “Mbrojta Civile” që kryejnë vëzhgime brenda territorit të Kosovës e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediç’in. Paramilitarët e RAdojiçiç-it po strehon në objektet të cilët ai i ka në pronësi në këtë park turistik dhe përveç akomodimit anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2 mijë euro në muaj”.

“Një grup prej rreth 80 personash të gjithë të larguan nga Kosova kanë vazhduar ushtrimet në poligonin ‘Zimovnki’ në afërsi të Rashkës. Trajnimet drejtohen nga ushtarakët e pensionuar serbë të cilët kanë grada të larta dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën mbase kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës te ne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore