Lajme

Në Kosovë, s’ka termin të lirë për vaksinim deri më 6 shtator


Salla e vaksinimit në Prishtinë, “1 tetori”

Javëve të fundit, në Kosovë është përkeqësuar situata epidemiologjike dhe kjo ka bërë që të rritet interesimi i qytetarëve për vaksinim.

Por, gjatë kësaj periudhe shumë qytetar janë ankuar për “pa mundësi për të lënë termin për vaksinim”, në platformën eKosova.

Nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, është thënë se kjo çështje është sqaruar edhe nga vetë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Terminët janë të mbushura deri më 6 shtator, por këtyre ditëve do të gjenerohen termine të reja”.

MSH, potencoi se këto “vaksina do të gjenerohen varësisht prej stokut të vaksinave dhe ekipeve të vaksinimit në dispozicion”.

Pas “gjenerimit të vaksinave” sipas prononcimit të Ministrisë së Shëndetësisë, kjo e fundit bëri të ditur se “nga e hëna në mbrëmje janë hapur termine të reja shtesë për qytetarët që dëshirojnë të vaksinohen”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të dielën, ka deklaruar se në stoqe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë mbi 53 mijë doza të vaksinës Pfizer dhe mbi 132 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Faik Hoti, ka deklaruar për Albanian Post se në Kosovë çdo javë pranohen kontingjent vaksinash.

“Çdo të hënë, Kosova pranon nga një kontingjent vaksinash nga kontrata me kompaninë amerikane, Pfizer”.

Ndërsa, gjatë muajit gusht janë caktuar mbi 14 mijë terminë për vaksinim.

Të martën në konferencë për media, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia potencoi se së shpejti, pritet të arrijnë mbi 450 mijë doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.

Vitia deklaroi se vaksina nuk duhet të vazhdoj të zgjidhet në situata si kjo.

“Edhe një herë ju bëj thirrje që të mos zgjedhim se cilën vaksinë ta marrim në një situatë si kjo. Me rëndësi është që të vaksinohemi sa më parë”.

Duke shtuar se, “Ne jemi i vetmi vend në rajon që kemi administruar vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së”, shtoi ai.

Sipas Vitisë, në klinikat COVID në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme janë një mijë e 269 pacientë, dhe se janë bërë gati gjitha planet e nevojshme.

Përveç kontratës me Pfizerin për blerjen e mbi 1.2 milion dozave të vaksinës, Kosova ka marrë donacione të vaksinave nga organizata dhe shtete të ndryshme.

Mekanizmi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka dhuruar 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do t’i japin Kosovës mbi 500 mijë doza të Pfizerit, Kroacia ka dhuruar 30 mijë doza dhe Norvegjia mbi 182 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

Po ashtu, Bashkimi Evropian ka premtuar 95 mijë doza të Pfizerit.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë, njoftoi më 31 gusht se 26 persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 1 mijë e 383 raste të reja me Coronavirus.

Numri i të infektuarve vjen nga 11 mijë e 472 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 996 persona.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 17 mijë e 684.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 548 mijë e 855 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 276 mijë e 890.

Ndërsa, një ditë më parë në Kosovë 20 persona kanë humbur jetën nga Coronavirusi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore