Kosova

Në Kosovë, pandemia rriti borxhin publik


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Ekonomia e Kosovës pritet të rritet në 9.9 për qind gjatë vitit 2021, pas një rënie prej 5.3 për qind që ishin në vitin paraprak.

Kështu ka bërë të ditur guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, duke shtuar se pandemia COVID-19 ka bërë që të ketë rënie ekonomike dhe të rritet borxhi publik.

“Sipas vlerësimeve ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2020 ka shënuar rënie prej 5.3 për qind. Efekti i rënies së ekonomisë është manifestuar përmes sektorit të jashtëm”, tha Mehmeti.

Ai shtoi se, “Ndalimi i udhëtimit ka bërë që të bie në mënyre drastike numri i mërgimtarëve dhe rënien e eksportit të shërbimeve të udhëtimit që në vitin 2020 zbriti në mbi 628 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 1.3 miliard euro që ishte një vit më parë”.

Mirëpo, thekson që në pjesën e parë të vitit 2021 ka pasur shtim të aktivitetit ekonomik prej 10.5 për qind.

“Projeksionet e BQK-së tregojnë se aktiviteti ekonomik do të rikuperohet me një ritëm mjaftë të shpejtë të rritjes prej 9.9 për qind për vitin 2021. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2021 është shënuar një aktivitet i shtuar ekonomik prej 10.5 për qind”.

Mbledhja e Bankës Qendrore në Kosovë.

Ai po ashtu gjatë raportimit ka sqaruar se vlera e kredive të shtyra për vitin 2020 ka qenë 1.2 miliard euro.

“Vlera e kredive të shtyra për vitin 2020 ishte 1.2 miliard euro apo 42 për qind në total të portofolios së kredive të sektorit bankar, prej të cilave 357 milionë euro apo 27 për qind të kredive të shtyra ishin të ekonomive familjare, pjesa tjetër ishte e kredive të bizneseve”.

“Vlera e kredive të risktrukturuara 376 milionë euro apo 12 për qind të kredive të sektorit bankar, prej të cilave 9 milionë euro ishin të kredive të ekonomive familjare”, ka përfunduar ai.

Sipas Bankës Botërore, rritja e konsumit me ardhjen e mërgatës ka kontribuar në rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2021.

Raporti i BB-së, deri në fund të këtij viti thotë se do të ketë rritje 7.1 për qind, kundrejt një tkurrje prej 5.3 për qind që ishte vitin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore