Shqipëria

Në kërkim të kryebashkiak(e)ve


Një statistikë jo dhe aq promovuese për përfaqësimin e grave në politikë vjen në pikënisje të procesit elektoral të zgjedhjeve vendore të vitit 2023.

Më pak se 10 për qind e kandidatëve për kryetar bashkie në rang vendi janë gra, duke llogaritur të gjitha forcat politike pjesëmarrëse në garën e 14 majit.

Në zgjedhjet e 14 majit, 3.65 milionë shqiptarë janë ftuar të hedhin votën për të zgjedhur 3 mijë e 222 anëtarë të këshillave bashkiake dhe 61 kryetarë bashkish.

Në garë për këto vota janë formalisht 145 kandidatë për kryetarë dhe 23 mijë e 646 kandidatë për këshilltarë.

Nga 145 kandidatë për kryebashkiakë vetëm 14 prej tyre janë gra.

Bëhet fjalë për kandidatet: Lajla Pernaska – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (Tiranë), Festime Mjeshtri – Partia Socialiste e Shqipërisë (Bulqizë), Juliana Memaj – Partia Socialiste e Shqipërisë (Dimal), Emiriana Sako – Partia Socialiste e Shqipërisë (Durrës), Eriselda Çelaj – Partia Demokratike (Fier), Valbona Kola – Partia Socialiste e Shqipërisë (Klos).

Kandidate të tjera në listat e bashkive respektive vijojnë me: Ledina Alolli – Koalicioni Bashkë Fitojmë (Korçë), Majlinda Cara – Partia Socialiste e Shqipërisë (Kurbin), Eriselda Sefa – Partia Socialiste e Shqipërisë (Lushnjë), Pranvera Rizaj – Partia Demokratike (Patos), Alma Hoxha – Partia Socialiste e Shqipërisë (Përmet), Suzana Topi – Koalicioni Bashkë Fitojmë (Prrenjas), Majlinda Bufi – Partia Socialiste e Shqipërisë (Roskovec) dhe Klomentina Drini – Partia Demokratike (Vau i Dejës).

Nëse rikonfirmohen të paktën katër fitore nga rangjet e kryebashkiakeve aktuale gra duke llogaritur bashkitë e Durrësit, Dimalit, Lushnjës dhe Roskovecit do të kemi 6 për qind të kryeadministratorëve gra.

Sipas hartës globale të vitit 2023 për “Gratë në politikë”, të hartuar nga UN Women dhe Unioni Ndërparlamentar, Shqipëria renditet në vendin e parë për përqindjen e grave ministre në kabinetin qeveritar dhe në vendin e 42-të për përqindjen e grave deputete në Kuvend.

Kjo statistikë shënonte një përmirësim me 12 vende krahasuar me renditjen në vitin 2021, kur Shqipëria renditej e 54-ta në botë.

Megjithatë, përfaqësimi i grave në nivel vendor vazhdon të jetë më i ulët krahasuar me burrat: në zgjedhjet vendore të vitit 2019, gratë fituan 44 për qind të vendeve në këshillat bashkiakë dhe në vetëm 8 nga 61 bashkitë (13 për qind) u zgjodhën gra si kryetare bashkie – shifër kjo edhe më e ulët se sa mesatarja e BE-së.

Para fillimit të fushatës për zgjedhjet e 14 majit 2023, agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri iu bënë thirrje kryetarëve të partive politike, duke advokuar për rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë dhe kuptimplotë të grave në zgjedhjet vendore dhe iu paraqitën atyre një sërë rekomandimesh në tri fusha kryesore.

Së pari, të vazhdohet me promovimin e përfaqësimit të grave në nivel vendor. Së dyti, të trajtohen problemet e paragjykimeve gjinore dhe të ngacmimit që ushtrohet ndaj grave kandidate dhe së treti, të forcohen rezultatet e barazisë gjinore në nivel vendor.

Sipas OKB-së, zgjedhjet e 14 majit janë një mundësi unike për t’i vënë mundësitë e barabarta dhe pjesëmarrjen në qendër të agjendës politike vendore për zhvillim të qëndrueshëm.

Këtu përfshihen investimet në arsimimin e vajzave dhe fuqizimi ekonomik i grave, si dhe forcimi i shërbimeve financiare dhe shoqërore, si për shembull në fushën e kujdesit për fëmijët dhe përmirësimi i aksesit në kopshte dhe çerdhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore