Lajme

Në javët e ardhshme do të mbërrijnë përforcimet gjermane të KFOR-it


Ilustrim

Një kontigjent shtesë i këmbësorisë nga radhët e Forcave të Armatosura të Gjermanisë (Bundeswehr) pritet të mbërrijë në Kosovë javët e ardhshme për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në vend (KFOR) për shkak të situatës së brishtë të sigurisë, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.

“Misioni i KFOR-it në Kosovë funksionon për 25 vjet. Kjo është vendosja më e gjatë e huaj e Bundeswehrit. Në javët e ardhshme, kontingjenti gjerman do të përforcohet nga një batalion këmbësorie. Situata e sigurisë në vend mbetet e paqëndrueshme”, njoftoi të hënën revista gjermane për politika të sigurisë.

NATO shtoi numrin e ushtarëve për shkak të situatës së paqendrueshme. Rreth 1 mijë ushtarë në kaudër të KFOR-it zbarkuan në vend. Mbretëria e Bashkuar dislokoi rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit prej 400 trupash, ndërsa Rumania dislokoi rreth 130 ushtarë pas përshkallëzimit të situatës, përkatësisht pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po ashtu mori vendim që të shtojë numrin e pjesëtarëve të ushtarëve të saj në KFOR. Në linjë me zhvillimet aktuale edhe Sllovenia rriti numrin e ushtarëve në misionin paqeruajtës të NATO-s në vend. Aktualisht 90 ushtarë sllovenë kontribuojnë në misionin e NATO-s në Kosovë, ndërsa numri i kontigjentit pritet të rritet për të paktën 100.

Më 5 dhjetor 2023, batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s (NRFC) është vendosur në Kosovë. Turqia po ashtu dislokoi një batalion të këmbësorisë së Forcave të Armatosura (TSK) pas zhvillimeve të fundit, kurse Kroacia miratoi pjesëmarrjen e deri 160 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Kroacisë (HKoV) në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Zvicra paralajmëroi gjithashtu se do ta rrisë numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it. Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të këtij viti. Gjithashtu, rreth 50 ushtarë amerikanë nga regjimenti i 244-të i aviacionit janë dislokuar në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të KFOR-it, ndërsa Moldavia dislokoi në vend rreth 40 ushtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore