Shqipëria

Në cilat tryeza të Komunitetit Politik Evropian marrin pjesë Shqipëria dhe Kosova? – Rama, i vetmi me fjalim nga rajoni


E enjtja e 6 tetorit do të shohë të mbledhur në Pragë të Republikës Çeke 27 liderë të vendeve të Bashkimit Evropian si edhe 17 liderë të tjerë evropianë, për herë të parë, në kuadër të nismës së krijimit të Komunitetit Politik Evropian, një propozim i presidentit francez, Emmanuel Macron.

Nisja zyrtare e seancës plenare, do të jetë me fillim në orën 13:00 ku vetëm pesë liderë evropianë do të flasin, mes të cilëve edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili përfaqëson rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Hapja zyrtare do të bëhet nga mikpritësi i takimit, kryeministri çek, Petr Fiala, i cili do të flasë për nismën.

Më pas, do të jetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ai i cili nëpërmjet videokonferencës, do të mbajë një qëndrim publik lidhur me Komunitetin.

Kryeministri norvegjez, Jonas gahr Store, do të paraprijë fjalën e kryeministri Rama në sesionin hapës dhe pas kreut të Qeverisë shqiptare, e fundit e cila do të flasë në takim, do të jetë kryeministrja e sapo-zgjedhur britanike, Liz Truss.

Tryezat e rrumbullakëta ku do të ketë diskutime ndërkohë, do të jenë katër, të ndara në dy çështje të ndryshme.

Kështu, Shqipëria do të marrë pjesë në tryezën ku do të diskutohet mbi energjinë, klimën dhe ekonominë, e drejtuar nga Sllovenia dhe Islanda.

Pjesë e kësaj tryeze, do të jetë edhe Austria, Spanja, Holanda, Hungaria, Malta, Mbretëria e Bashkuar dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova nga an tjetër, do të jetë e ulur në tryezën e drejtuar nga Moldavia dhe Sllovakia, mbi paqen dhe sigurinë, ku shtete të tjera do të jenë Letonia, Republika Çeke, Finlanda, Qipro, Suedia, Polonia, Armenia e Bosnjë dhe Hercegovina.

Një tryezë tjetër me temë paqen dhe sigurinë, e drejtuar nga Estonia dhe Ukraina, do të shohë si pjesëmarrëse Luksemburgun, Kroacinë, Lituaninë, Francën, Rumaninë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Turqinë dhe Malin e Zi.

Ndërsa, tryeza e katërt, sërish mbi çështjet e energjisë, klimës dhe ekonomisë, drejtuar nga Greqia dhe Zvicra, do të shohë pjesëmarrëse Gjermaninë, Portugalinë, Irlandën, Belgjikën, Bullgarinë, Italinë, Lihtenshteinin, Norvegjinë dhe Serbinë.

Këto tryeza të përbashkëta do të jenë me fillim në orën 14:30 dhe mbyllje në orën 16:15.

Mes orëve 16:30 dhe 19:00, do të lihet hapësira më pas për takime bilaterale.

Teksa, darka përmbyllëse, do të zhvillohet prej orës 19:00 deri më 21:30, ku vend pjesëmarrës, mund të kërkojë fjalën e rastit.

Agjenda

Agjenda e parë e takimit të Komunitetit Politik Evropian është zbuluar më herët.

Ajo parashikon bashkimin e të gjithë liderëve nga kontinenti rreth një qëllimi.

Sipas asaj që është prezantuar deri tani, Komuniteti Politik Evropian, kërkon që ta rrisë dialogun politik dhe bashkëpunimin e shteteve në adresimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Gjithashtu, synim është forcimi i sigurisë, stabilitetit dhe prosperiteti i kontinentit evropian.

Kjo platformë për koordinim politik nuk është replikim i asnjë organizimi tjetër, as për nga mbarëvajtja as për nga struktura dhe as nuk provon të krijojë një mekanizëm të ri të përhershëm në këtë fazë, thuhet në njoftimin që ka lëshuar Këshilli Evropian.

Në takim, përveç 27 shteteve të BE-së, do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të 17 shteteve të tjera evropiane, përfshirë edhe Kosovën.

Në agjendë do të ketë një tryezë të rrumbullakët edhe për “paqen dhe sigurinë” dhe pika të tjera do jenë edhe “energjia, klima dhe situata ekonomike”.

Në përmbyllje, do të ketë edhe një konferencë të përbashkët të organizatorëve.

Dëshmitë

Me pranimin për të marrë pjesë në një takim në bazë të konceptit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të zhvillohet të enjten në Pragë të Republikës Çeke, Truss, po afron jo vetëm Britaninë e Madhe me Francën, por (sërish) edhe me Bashkimin Evropian.

Mirëpo nga ana tjetër, për agjencinë e lajmeve “Reuters”, një zyrtar i lartë francez, ka thënë se takimi, zhvillohet edhe për t’i treguar Shqipërisë dhe Kosovës, se Evropa mund të bëjë shumë për ta, ndaj sytë nuk duhen kthyer nga Kina dhe Rusia.

Fakti se referimi i zyrtarit nga Elysee-ja reflekton vetëm Shqipërinë dhe Kosovën në deklaratë, nënkupton se ka një vëmendje të shtuar ndaj dy vendeve, përtej tablosë së përgjithshme rajonale.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili nga ana tjetër është edhe propozuesi i nismës së Komunitetit Politik Evropian, e ka bërë të qartë shqetësimin se negociatat mes unionit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë të gjata dhe mund të dekurajojnë këto vende në rrugën drejt anëtarësimit.

Një strukturë jashtë BE-së për Ballkanin Perëndimor, flet kryekorrespondenti i ‘Politico’ për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore