Shqipëria

Një strukturë jashtë BE-së për Ballkanin Perëndimor, flet kryekorrespondenti i ‘Politico’ për Albanian Post


Teksa në fund të muajit qershor Presidenca Franceze pritet të organizojë një konferencë mbi Ballkanin Perëndimor – që përkon me përfundimin e mandatit në Këshillin e Evropës – presidenti Emmanuel Macron ka prezantuar një nga reformat më të mëdha në strukturën e unionit në dekada.

Ai ka paraqitur idenë e një niveli të dytë të vendeve jashtë bllokut, që ndajnë vlerat dhe gjeografinë e unionit.

Kështu Macron tha se, Britania e Madhe pas Brexit mund të përfshihet në këtë strukturë, si dhe vendet e ndikuara, ose të kërcënuara nga pushtimi i Rusisë: Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia.

Por kjo deklaratë la jashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilat po presin prej kohësh anëtarësimin në bllok.

Kryekorrespondenti i prestigjozes “Politico” në BE dhe njohësi i mirë i politikës franceze, David M. Herszenhorn, në një prononcim për Albanian Post e ka cilësuar këtë koment të Macron si jo paragjykues ndaj anëtarësimit të mundshëm të shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Por, ai ka theksuar se, Shqipëria dhe vendet e tjera kandidate duhet të tregohen të “mençura”, që të këmbëngulin për pranimin sa më të shpejtë sipas procedurave ekzistuese dhe t’i rezistojnë çdo alternative nëse BE-ja nuk garanton se kjo nuk është thjesht një justifikim për vonesa të mëtejshme.

Macron, nga ana tjetër, nuk ka dhënë pothuajse asnjë detaj në lidhje me planin e tij dhe nuk është aspak e qartë se si mund të realizohet ajo që ai po propozon nga një këndvështrim ligjor dhe praktik.

Herszenhorn sjell në vëmendje se Franca nuk ka qenë një nxitëse e fortë e anëtarësimit të shpejtë të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor.

Si shembull kryesor, ai përmend vonesën që ka shkaktuar Qeveria franceze, duke penguar zgjerimin e ardhshëm të BE-së e duke nxitur ndryshime komplekse në procesin e pranimit – në lidhje me ofertat e anëtarësimit.

“Ne thjesht nuk e dimë se çfarë ndikimi do të kenë idetë e Macron-it. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka paraqitur një ide të ngjashme, por ai nuk ka asnjë autoritet mbi këtë. Vendimi merret nga 27 krerët e shteteve dhe Qeverive në Këshillin Evropian”, tha eksperti për AP-në.

Për të mbetet e paqartë se si do të ishte në gjendje Bashkimi Evropian t’i ofronte këtij “komuniteti” një kombinim të të gjitha marrëveshjeve.

Kjo duke ravijëzuar se BE-ja tashmë ka lloje të ndryshme marrëdhëniesh me vende të ndryshme partnere, ku përfshihen marrëveshjet e asocimit politik, marrëveshjet e thella dhe gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë, regjimet e udhëtimit pa viza, e shumë të tjera.

“Është e paqartë sërish se pse Britania e Madhe pas daljes nga BE-ja do të dëshironte të ishte pjesë e një komuniteti të tillë ose se si një komunitet i tillë mund të ekzistonte pa i dhënë Mbretërisë së Bashkuar përfitimet e anëtarësimit minus detyrimet e pagesave buxhetore dhe përgjegjësi të tjera ligjore”, ngre pyetjen Herszenhorn.

Si u pa nga Shqipëria?

Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e fundit me presidentin e KE-së, Charles Michel, deklaroi se kishte kërkuar që blloku të krijojë mekanizma alternativë për të afruar Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, vendet e rajonit mund të thirren në tryeza, ku merren vendime për çështje që prekin të gjithë, si krizat apo siguria.

Shqipëria, e cila ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2009, idenë e një Evrope me dy nivele e priti me njëfarë “dorëzimi”.

“Presidenti Macron kishte të drejtë pesë vjet më parë, kur foli për nevojën për një rrugë tjetër drejt integrimit, por pak ka ndryshuar që atëherë”, ishte reagimi i parë i zyrës së kryeministrit Rama pak pas komenteve të Macron.

Sipas saj, përpos të gjithave, është koha për të menduar dhe për të ecur përpara drejt një komuniteti të ri të demokracive evropiane.

Por Qeveria shqiptare nuk është optimiste se do të ndodhë diçka thelbësisht e ndryshme nga ajo që “rrotullohet rreth të njëjtit gravitet të zakonshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore