Lajme

Ndryshimi i klimës në një ‘pikë pa kthim’, thotë Goodall


Primatologia britanike dhe një nga ikonat e ambientalizmit, Jane Goodall, deklaroi se po mbaron koha për të ndalur efektet e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.

“Ne po i afrohemi fjalë për fjalë një pike pa kthim”, u shpreh Goodall për Agjencinë Franceze “AFP”. “Shikoni nëpër botë se çfarë po ndodh me ndryshimet klimatike. Është e tmerrshme”.

Goodall është më së shumti e njohur për studimin e saj pionier prej gjashtë dekadash të shimpanzeve në Tanzani, i cili zbuloi sjellje “të ngjashme me njeriun” midis kafshëve.

Kjo, duke përfshirë një prirje për të bërë luftë, si dhe aftësinë për të shfaqur emocione.

Tashmë 88 vjeç, britanikja është një shkrimtare dhe subjekt i një sërë filmash.

Goodall tha se zgjimi i saj mjedisor erdhi në vitet ’80 ndërsa punonte në Mongoli, ku kuptoi se kodrat ishin zhveshur nga mbulesa e pemëve.

“Arsyeja pse njerëzit po prisnin pemët ishte për të bërë më shumë tokë, për të rritur ushqimin ndërsa familjet e tyre rriteshin dhe gjithashtu për të fituar para nga qymyri ose druri”, tha ajo.

Sipas saj, nëse nuk i ndihmojmë këta njerëz të gjejnë mënyra për të siguruar jetesën pa shkatërruar mjedisin e tyre, nuk mund të shpëtojmë shimpanzetë, pyjet apo ndonjë gjë tjetër.

Goodall thotë se ka parë disa ndryshime për mirë gjatë dekadave të fundit, por ka kërkuar veprim më të shpejtë.

“Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Dua të them, ne kemi mjetet. Por ne dalim kundër mendimit afatshkurtër të përfitimit ekonomik kundrejt mbrojtjes afatgjatë të mjedisit për të ardhmen”, shtoi ambientalistja.

Goodall po fliste të dielën në margjinat e një kremtimi të çmimit të saj Templeton prej 1.3 milionë dollarësh.

Çmimi është një çmim vjetor për një individ, puna e të cilit shfrytëzon shkencën për të eksploruar çështjet me të cilat përballet njerëzimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore