Lajme

Ndërpritet seanca, Dardan Krivaqës i përkeqësohet gjendja


Gjatë mbajtjes së seancës në të cilën do të vendoset caktimi i masës së paraburgimit, për të pandehurin Dardan Krivaqa, këtij të fundit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, kjo seancë është ndërprerë.

I njëjti nuk është shoqëruar për në emergjencë, por nga ekipet mjekësore ka marrë ndihmën e parë, ka treguar për Albanian Post, avokati mbrojtës i Krivaqës, Admir Salihu.

Salihu ka sqaruar më tej se klientit të tij i është përmirësuar gjendja dhe mjekët kanë konstatuar se seanca mund të vazhdoj.

Tani, seanca ka përfunduar dhe pas pak pritet publikimi i vendimit të Gjykatës, lidhur me masën e përkuar nga Porkuroria për 30 ditë paraburgim.

10:54

Në ora 11 të së mërkurës, Dardan Krivaqa do të paraqitet në Gjykatë.

I dyshuari kryesorë për vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani, do të paraqitet para gjykatësit Ibrahim Idrizi, i cili në këtë seancë, si pjesë e procedurës paraprake, do të vendosë nëse Krivaqa do të marrë vendimin për 30 ditë paraburgim, deri në fillim të procesit gjyqësorë, apo do të parashihen masa të tjera të sigurisë.

Këtë për Albanian Post e ka konfirmuar, avokati i të pandehurit Krivaqa, Admir Salihu.

Në këtë kërkesë drejtuar Gjykatës Themelore, Prokuroria ka arsyetuar vendimin se kjo masë duhet të aplikohet për shkak i pandehuri Dardan Krivaqa me datën 22 gusht rreth orës 15:00, “me dashje, në mënyrë mizore, për qëllime të ulëta xhelozie për shkak se i pandehuri Dardan, dyshonte se e ndjera Marigona Osmani e kishte tradhtuar me djalin e dajës së të pandehurit Dardan”.

“Për këtë arsye i pandehuri një natë më parë kishte ushtruar dhunë psikike e më pas edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, deri sa e ndjera ka ndërruar jetë”.

Departamentit për krime të rënda në Gjykatën Themelore, prokuroria i ka argumentuar edhe pjesëmarrjen e të pandehurit tjetër, Arbër Sejdiu.

“Arbër Sejdiu gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, e i cili ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës psikike e fizike. Në këtë mënyrë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, vdekjen e të ndjerës”.

Më pas, sipas përshkrimit të prokurorit, të dy e dërgojnë viktimën në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete dhe largohen në drejtime të panjohura.

Kërkesën e paraburgimit, prokurori i rastit Valdet Aviu, e bazon në disa argumente.

Për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, rreziku i ikjes, rreziku i pengimit të rrjedhës së procedurës penale dhe rreziku i përsëritje së veprës penale.

Dardan Krivaqa u arrestua një ditë më parë, të martën rreth orës 12:05, në një fshat të Ferizajt, duke u fshehur nga Policia e cila kishte kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për t’i ndihmuar në gjetjen dhe identifikimin e tij.

Ndërsa Arbër Sejdiu është arrestuar pak orë pas raportimit të rastit në Polici.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore