Lajme

Ndalimi i futjes së Patriakut Profirje në Kosovë, Serbia i ankohet Blinken’it


Ilustrim

Kreu i Eparkisë Ortodokse Serbe në Amerikën Lindore, Irinej Dobrijeviç, përmes një letre të dërguar Sekretarit Amerikan, Antony Blinken, ka ngritur shqetësimin e tij për ndalimin e hyrjes në Kosovës të Patriakut Serb, Profirioi.

Peshkopi serb ndër të tjera në këtë letër ka tërhequr vëmendjen e Blinken për shkeljen flagrante, sipas tij, të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive fetare të serbëve nga ana e institucioneve të Kosovës.

“Po kërkohet nga autoritete në Uashington që me vendosmëri të ndalojnë synimet e Kosovës për të shkaktuar trazira gjatë festave të Krishtlindjeve dhe të përsërisin ‘progromin’ e vitit 2004 kundër popullit serb si dhe monumenteve fetare e kulturore në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

Peshkopi serb të njëjtën letër përveç Sekretari Amerikan i ka dërguar edhe institucioneve të rëndësishme qeveritare në ShBA-të përfshirë edhe Komisionin e Shteteve të Bashkuara për Liritë Fetare Ndërkombëtare.

Irinej Dobrijeviç

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës kishte pranuar kërkesë për vizitë treditore në Kosovë të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirje, por nuk e kishte aprovuar derisa Kisha serbe nuk dënonte apo distancohej “nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it, të cilët, duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje”.

“Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar, siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me distancimin nga aktet e dhunës dhe veprimet e lartpërmendura”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

MPJ shpjegon se vendimin e tillë e morën edhe nga fakti që prifti ortodoks Predrag Popoviç, nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas në Rakovicë, afër Beogradit, ditë më parë kishte pranuar publikisht se ditën e martë të javës së kaluar kishte kaluar ilegalisht kufirin e Republikës e Kosovës duke përdorur rrugët anësore.

Sipas tij, për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it, i kishte vizituar dhe përkrahur protestuesit në barrikadat në Leposaviq.

Se nuk ia kanë refuzuar kërkesën, por kanë kërkuar fillimisht distancim, MPJ thotë se ka njoftuar edhe përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it, përmes zyrës ndërlidhëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore