Shqipëria

Ndahet nga jeta në moshën 72-vjeçare poeti Skënder Rusi


Është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeëare, poeti Skënder Rusi.

Rusi i takon një kategorie të rrallë të jetës kulturore dhe shpirtërore të vendit. Ai jetoi për poezinë dhe me poezinë e tij.

Poezitë e tij janë të lexuara nga të gjithë sepse Rusi që kur ishte student në Shkodër ka sjellë poezinë lirike si askush tjetër.

Krijimtaria poetike e tij është pasuria më e madhe që poeti la Devollit ku lindi e u rrit, Korçës ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij ashtu siç i la një pasuri poetike të gjithë shqiptarisë si autor i shume librave me poezi.

I lindur në Devoll, në vitin 1952, me një karrierë mbi 50 vjeçare në fushën e letrave, ka qene autori i 25 vëllimeve me poezi që kanë tërhequr lexues të shumtë brenda dhe jashtë vendit.

Rusi ka dhënë një kontribut të qenësishëm për promovimin e vlerave të kulturës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore.

Ai ka marrë vlerësime të shumta, ku më i fundit është vlerësimi me titullin “Qytetar Nderi i Korçës”, në vitin 2021.

Aktiviteti i tij në fushën e kulturës dhe librit në Korçë ka një shtrirje profesionale 27 vjeçare, duke nisur si drejtor i Pallatit të Kulturës së qytetit të Korçës 1991-1996 dhe drejtor i Bibliotekës së qytetit nga 1997-2017.

Ai ka ideuar aktivitetin më të rëndësishëm poetik, për ngritjen dhe promovimin e vlerave të poezisë shqipe brenda dhe jashtë vendit “Netët Korçare të Poezisë”, i cili për 25 vjet e në vijim është shndërruar në traditën që e identifikon Korçën poetike në sytë e shijuesit të poezisë brenda dhe jashtë vendit, me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj.

Krijimet poetike të tij janë botuar dhe përfshirë nëpër antologjitë e disa vendeve të Evropës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë e Greqi.

Rusi i ka kënduar në mënyrën më të bukur dashurisë dhe qytetit të Korçës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore