Lajme

NATO: Rusia vendos 30 mijë trupa në stërvitje në Bjellorusi, në veri të Ukrainës


NATO ka deklaruar se Rusia kishte shtuar dislokimet ditët e fundit në Bjellorusi , në fqinjin verior të Ukrainës dhe pritej të kishte 30 mijë trupa për stërvitje të përbashkëta ushtarake këtë muaj.

Stërvitjet Rusi-Bjellorusi, që do të zgjasin deri më 20 shkurt, i kanë siguruar Moskës mbulim për të rritur më tej forcat pranë Ukrainës në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë paralajmëruar se Moska mund të përgatitet për luftë.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës tha se Rusia aktualisht ka grumbulluar një total prej 115 mijë trupash pranë kufijve të Ukrainës.

Rusia mohon planifikimin për të pushtuar Ukrainën dhe i ka përshkruar stërvitjet Aleate “Resolve” me Bjellorusinë si një provë për të zmbrapsur agresionin e jashtëm. Ajo nuk ka bërë të ditur madhësinë e forcave të saj atje, por thotë se do të tërhiqen pas stërvitjeve.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se, “gjatë ditëve të fundit, ne kemi parë një lëvizje të konsiderueshme të forcave ushtarake ruse në Bjellorusi”.

“Kjo është dislokimi më i madh rus atje që nga Lufta e Ftohtë, me një pritshmëri prej 30 mijë trupash luftarake”, si dhe forcat e operacioneve speciale “Spetsnaz”, avionët luftarakë SU-35, sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 dhe raketat “Iskander” me aftësi bërthamore, tha ai.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu mbërriti në Bjellorusi të enjten për të inspektuar trupat ruse dhe bjelloruse dhe do të takohej me liderin bjellorus Alexander Lukashenko, tha agjencia e lajmeve “Interfax”.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë refuzuar kërkesat ruse për të ndaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe për të tërhequr forcat aleate dhe sistemet e armëve nga Evropa Lindore, ndërsa kanë shprehur gatishmërinë për të folur për kontrollin e armëve dhe masat e ndërtimit të besimit.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se perëndimi kishte injoruar shqetësimet kryesore të Rusisë dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se po përpiqeshin ta joshin atë në luftë, por ai tha se Rusia ishte ende e interesuar për dialog.

Të enjten, Kremlini akuzoi përsëri Washington-in për ndezjen e tensioneve pasi Shtetet e Bashkuara thanë se do të dërgonin gati 3 mijë trupa shtesë në Poloni dhe Rumani. Pentagon-i tha se qëllimi ishte t’i dërgohej një “sinjal i fortë” Putin-it dhe botës se “NATO ka rëndësi për Shtetet e Bashkuara dhe ka rëndësi për aleatët tanë”.

Presidenti turk Tayyip Erdogan, i cili ka ofruar të ndërmjetësojë mes Rusisë dhe Ukrainës në krizë, ka vizituar Kievin të enjten.

Ukraina dhe Turqia do të nënshkruajnë një marrëveshje kornizë për prodhimin e dronëve turq në Ukrainë – një veprim që me siguri do të shqetësojë Moskën.

Ukraina ka vendosur tashmë dronë të prodhuar nga Turqia në një luftë me separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit.

Me bisedimet diplomatike tërësisht në ngërç dhe pa avancim pozitiv, fryma e konfliktit mes Lindjes dhe Perëndimi po rritet. Shqetësimet për një mësymje të mundshme nga Moska janë të larta.

Por, lëvizjet e presidentit rus, Vladimir Putin, janë të paparashikueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore