Lajme

NATO në ‘garë’ për të furnizuar Ukrainën me armë para se të nisë ofensiva ruse


Aleatët e Ukrainës janë në një garë me kohën për të prodhuar municion të mjaftueshëm, karburant dhe pjesë këmbimi për të penguar një ofensivë nga forcat ruse që shefi i NATO-s thotë se tashmë është duke u zhvilluar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka kërkuar sërish aleatëve perëndimorë të Ukrainës që të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake.

I pyetur të hënën se kur pret që të fillojë e ashtuquajtura ofensivë pranverore e Rusisë, Stoltenberg tha se “realiteti është se ne e kemi parë tashmë fillimin”.

“Për mua, kjo thjesht thekson rëndësinë e kohës. Është urgjente t’i sigurohet Ukrainës më shumë armë”, u tha ai gazetarëve në Bruksel.

Stoltenberg tha se NATO nuk sheh asnjë shenjë se presidenti rus Putin po përgatitet për paqen dhe armatosja më e shpejtë e Ukrainës mund të shpëtojë jetë duke i dhënë fund më të shpejtë konfliktit.

“Është e qartë se ne jemi në një garë logjistike. Aftësitë kryesore si municioni, karburanti dhe pjesët rezervë duhet të arrijnë në Ukrainë përpara se Rusia të marrë iniciativën në fushën e betejës. Shpejtësia do të shpëtojë jetë”, tha ai.

Anëtarët e NATO-s dhe aleatët e tjerë të Ukrainës po takohen në selinë e aleancës të martën për të grumbulluar më shumë armë dhe municione për vendin e shkatërruar nga lufta.

Të mërkurën ata do të diskutojnë mbrojtjen e NATO-s në krahun e saj lindor, afër Rusisë. Lëvizjet për të rritur buxhetet ushtarake janë gjithashtu në agjendë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore