Lajme

Nagavci nënshkruan vendim për hulumtim të stafit akademik në institucionet e arsimit të lartë


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka nënshkruar vendim për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik.

Këtë Nagavci e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ndonëse plagjiatura konsiderohet si formë e rëndë e shkeljes së etikës akademike, fatkeqësisht raste të tilla u raportuan së fundi në Universitetin e Prishtinës. Në linjë me këtë, kam nënshkruar sot vendimin për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL)”, ka shkruar Nagavci.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Ajo tutje ka sqaruar se ky vendim do t’i detyroj të gjithë stafin akademik të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës përmes një platforme.

“Me këtë vendim, obligohen të gjitha IAL-të në Republikën e Kosovës që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim”.

Ndërsa ka rikujtuar se ngritja e cilësisë në arsimin e lartë është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe MAShTI-it, “për çka jemi duke u angazhuar shumë që nga fillimi i mandatit”.

“Si ministre e Arsimit pres që rastet e plagjiaturës të raportuara deri tash të trajtohen me seriozitet nga organet e Universitetit të Prishtinës”, deklaroi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore