Lajme

Nagavci kërkon bashkëpunim në mënyrë që procesi i blerjes së librave të ketë sukses


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arbërie Nagavci, ka zhvilluar një takim me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, nga ku ka kërkuar bashkëpunimin e mësuesve dhe prindërve në mënyrë që procesi i blerjes së teksteve shkollore të ketë sukses.

Nagavci, pas dështimit për t’i siguruar tekstet shkollore ashtu siç është vepruar në të kaluarën, ka kërkuar që shkollat, mësimdhënësit dhe prindërit, të bashkëpunojnë me ministrinë përkatëse lidhur me alokimin e fondeve për blerjen e teksteve dhe materialeve të tjera për nxënësit filloristë.

Të premten e javës së kaluar është hapur aplikimi për rimburësimin e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore të 227 mijë e 984 nxënësve filloristë, ndërsa, siç ka njoftuar ministrja Nagavci, paratë parashihet t’iu dalin prindërve në xhirollogaritë bankare para 1 shtatorit.

“Deri tani në portalin e-Kosova janë pranuar rreth 80 mijë aplikime në platformën e cila do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator. Drejtorët Komunalë të Arsimit i njoftova se prindërve që tashmë kanë aplikuar për tekste dhe materiale, mjetet pritet t’iu deponohen në llogari para datës 1 shtator”, ka nënvizuar ajo.

Lidhur me një nga sfidat kryesore në të cilën kanë hasur prindërit e që është aplikimi online për fëmijët që mbushin 6 vjeç pas 1 shtatorit, ministrja Nagavci ka garantuar se “këto dhe të tjera ankesa po trajtohen me seriozitet dhe përkushtim nga ekipet mobile”, derisa ka shtuar se “s’do të ketë probleme me furnizimin e librarive”.

“U rikujtova pjesëmarrësve se komunat tashmë janë informuar që shkollat mund të bëjnë përzgjedhjen e titujve të teksteve, të cilat mësuesit duhet t’i ndajnë me prindërit para fillimit të procesit mësimor. Ndërkohë, shtëpitë botuese kanë konstatuar se ka tekste të mjaftueshme”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj.

Megjithatë, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur vetëm pak ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, zyrtarë të lartë të MASHT-it vazhdimisht janë munduar ta arsyetojnë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

MASHT-i ka pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadësh të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore