Lajme

Nafta është 12 për qind më e lirë që nga fillimi i vitit


Në tregjet botërore çmimet e naftës u rritën javën e kaluar, por në të gjithë gjysmën e parë të vitit ato ranë me gati 12 për qind.

Kjo, sepse bankat qendrore vazhdojnë të rrisin normat e interesit për shkak të inflacionit të lartë, i cili do të ngadalësojë rritjen e ekonomive.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Çmimi i një fuçie në tregun e Londrës u rrit javën e kaluar me 1.4 për qind – në 74.90 dollarë, ndërsa në tregun amerikan çmimi i një fuçie u rrit me 2.1 për qind – në 70.64 dollarë.

Kjo vetëm sa e zbuti rënien në bazën tremujore dhe gjashtëmujore.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, çmimi i fuçisë në tregun e Londrës u ul me 12.8 për qind, ndërsa në atë amerikan me 12 për qind.

Kjo është pasojë e ngadalësimit të rritjes së ekonomive të vendeve perëndimore, sepse për shkak të inflacionit të lartë, bankat qendrore kanë më shumë se një vit që kanë rritur normat e interesit.

Ngadalësimi i rritjes së ekonomisë ngadalëson edhe rritjen e kërkesës.

Për më tepër, ekonomia kineze, importuesi më i madh i naftës në botë, nuk po rikuperohet nga kriza e koronës aq shpejt sa pritej pas heqjes së masave kufizuese Covid.

Për të mbështetur çmimet, Arabia Saudite njoftoi se do të ulë prodhimin me një milion fuçi në ditë në korrik.

Përveç kësaj, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj e zgjatën marrëveshjen për uljen e prodhimit deri në fund të vitit.

Por autoritetet monetare të vendeve perëndimore, nga FED-i Amerikan deri te Banka Qendrore Evropiane, po njoftojnë rritje të mëtejshme të normave të interesit për të frenuar inflacionin, i cili do të ngadalësojë më tej rritjen ekonomike.

Sipas një sondazhi të Reuters me 37 ekonomistë dhe analistë, çmimet nuk kanë gjasa të rriten këtë vit, duke pasur parasysh problemet në ekonominë botërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore