Lajme

Muzeu në Krushë të Madhe, Ambasada britanike: Të kujtosh të kaluarën dhe të vlerësosh të vërtetën janë themelet e drejtësisë tranzicionale


Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ndërsa ka përgëzuar Kosovën për inaugurimin e Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe, ka potencuar se të kujtosh të kaluarën dhe të vlerësosh të vërtetën janë themelet e drejtësisë tranzicionale.

“Ne ishim të nderuar sot të merrnim pjesë në inaugurimin e Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe dhe të nderonim mbi 200 civilët e vrarë nga forcat e Millosheviçit 25 vjet më parë sot”.

Sipas Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar banorët e Krushës së Madhe simbolizojnë forcën për të ruajtur kujtimin e së kaluarës dhe guximin për të parë përpara drejt së ardhmes.

Në anën tjetër në përurimin e Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe të Rahovecit, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se NATO-ja kishte intervenuar për shkak të krimeve të tmerrshme që kishin ndodhur në këtë fashat, ku forcat serbe vranë e masakruan mbi 200 persona.

“NATO-ja veproi pikërisht për shkak të krimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu. Si aleancë ne u bëmë bashkë për të reaguar vetëm pasi i kishim shterur të gjitha alternativat për të ndalur gjakderdhjen”, tha Hovenier.

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, theksoi se intervenimi i NATO-s ishte i domosdoshëm.

“Kjo si dhe masakrat tjera, vetëm treguan se kishte ardhur koha tashmë që NATO të ndërhynte për ta shmangur një tragjedi humanitare si dhe spastrimin etnik i cili po ndodhte këtu”, potencoi Rohde.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore