Lajme

Mustafa: ZPS-ja s’është as afër realitetit që ka ndodhur gjatë 1999-ës


Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa – i dënuar me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale për krime lufte, ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm për veprat për të cilat është dënuar.

Ai në fjalimin e tij tha se në mënyrë morale ndjehet i pafajshëm për veprat me të cilat akuzohet, ndërsa juridikisht është shpallur i fajshëm.

“Edhe praktikisht edhe moralisht ndihem i pafajshëm edhe pse juridikisht gjykata me ka shpallur të fajshëm, për shkak se jam i bindur që absolutisht asnjë vepër për ato çka më ka ngarkuar prokuroria që tri vite nuk i kam konsumuar”, tha Mustafa.

Ai u shpreh i bindur se Zyra e Prokurorit të Specializuar e din saktë që nuk është ashtu dhe se realiteti se si ka ndodhur gjatë viteve 1999 është ndryshe.

“Unë jam shumë i sigurt që prokuroria i ka të gjitha provat dhe e din saktë që nuk është ashtu. ZPS-ja nuk është afër as edhe për 1% të realiteti që ka ndodhur gjatë vitit 1999-ës”.

Sipas tij, prokuroria me dashje i ka vendosur të gjitha argumentet me “kokë poshtë”.

Salih Mustafa.

Ndërsa, pohoi se beson në drejtësi.

“Prandaj nuk kam diçka tjetër. Kam besim në ju, unë jam shumë i sigurt që moralisht dhe praktikisht jam i pafajshëm”.

Mbrojtja e Salih Mustafës përmes avokatit Julius Von Bone, potencoi se dokumenti i cili ishte paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e që mbante një listë të të burgosurve nuk vlen asgjë në këtë çështje.

Në seancën e dytë të Apelit ndaj Salih Mustafës, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka prezantuar parashtrimet e veta lidhura me përcaktimin e dënimit.

Për çka akuzohej Salih Mustafa?

Më 16 dhjetor, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Musafës, i është dhënë dënimi prej 26 vjet burgim nga nga Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Mustafa, i cili njihet ndryshe edhe si komandant Cali u shpallë fajtor në disa pika – “torturë si krime lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje e paligjshme si krim lufte”.

Dënimi, nga 35 vjet sa kishte kërkuar prokuroria, është dhënë për 26 vjet burgim.

Mustafa është shpallur i pafajshëm për pikën e aktakuzës “trajtim mizor”.

Duke qenë se Mustafa u shpallë fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar fillimisht nga një dënim për vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie.

E më pas kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka shqiptuar dënimin në tërësi me 26 vjet heqje lirie.

“Trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës ndalim arbitrarë, dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës së torturës dhe dënim me 25 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”.

Dënimi ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale është i pari lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohej për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.

Këto krime dyshohet se ishin kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishtë konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhej se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndërkaq, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore