Lajme

Mustafa për pakon e re të Qeverisë: Veprim në panik që synon blerjen e paqes sociale


Besian Mustafa

“Pakoja për përballje me inflacionin”, e quajti Albin Kurti, pakon e re të Qeverisë, e cila parasheh shpërndarjen e 150 milionë eurove nga buxheti i Kosovës, për pensionistët, studentët, punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe punëtorëve të sektorit publik, por je edhe për ata të sektorit privat.

E për Besian Mustafën, deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pakoja e re e prezantuar së fundmi nga ekzekutivi është një pako e panikut, e pa menduar mirë, pako jo efektive dhe diskriminuese.

Sipas tij shumica e masave janë të dëmshme dhe nuk janë të planifikuar mirë.

“Për LDK-në ky është veprim në panik i kësaj qeverie, për të ulur pakënaqësinë në rritje, për të blerë paqen sociale në vend”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media.

Sipas tij Qeveria me këtë pako ka vendosur të injorojë tërësisht të punësuarit e sektorit privat.

“Qeveria ka vendosur të injorojë sektorin privat të cilët janë kontribut dhënësit më të mëdhenj tatimor dhe vetë motori i ekonomisë sonë. Kjo qeveri nga sektori privat vetëm merre dhe asnjë cent nuk jep”, ka shtuar ai.

Ekzekutivi, përmes prezantimit të masave të reja për ta zbutur sadopak krizën ekonomike në vend , sipas Mustafës nuk ka parashikuar të jap asnjë centë as të papunëve.

“Pra ata që nuk kanë asnjë të hyrë, qeveria vendosi t’i injorojë tërësisht. Kjo pako qartësisht nuk ofron mbështetje për të gjithë qytetarët”

“Pakoja është diskriminuese se po shkakton pabarazi duke u ndarë vlerën e njëjtë edhe atyre që kanë 300 euro rrogë edhe atyre me 2 mijë euro rrogë”, ka shtuar ai.

Qeveria sipas ish-ministrit të Bujqësisë duhet të përqendrohet në masa konkrete që zhbllokojnë potencialin e zhvillimit ekonomik.

“Qeveria duhet të përshpejtojë projektet kapitale dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar ai.

Pse pakoja e re e Qeverisë s’mund ta zbusë krizën ekonomike në Kosovë?

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, në një konferencë për media të shtunën, ka prezantuar pakon e re ekonomike që synon mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare në vend.

Pika e parë e pakos, sipas Kurtit do të përqendrohet te të gjithë ata të cilët kursejnë energji elektrike.

“Nisur nga gjendja e rënduar me energji, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursejmë, andaj do të subvencionojmë ata që do të kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dy fish faturën”, ka thënë Kurti.

Më tej i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se qeveria do të procedojë në Kuvend, Projektligjin për Punë publike, e cila parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës.

“Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale”, ka shpjeguar ai.

Pakoja e re, sipas Kurtit parasheh ndarjen e një shume prej 100 eurosh për pensionistët, kurse familjeve me asistencë sociale mbështetje duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Kurti më tej ka bërë të ditur se për zyrtarët publik do të ndajnë shtesën prej 50 eurove, duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 eurosh.

“Jemi të vetëdijshëm që inflacioni ka ndikuar që jetët të vështirësohen për gjithë pa dallim, mirëpo kjo gjendje është edhe më e rënduar në sektorin privat”, ka shtuar ai.

I pari i Qeverisë, ka bërë të ditur se me pakon e re do të mbështetet secili biznes që i rritë pagat e punëtorëve, duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Nga pakoja, sipas Kurtit do të përfitojnë edhe studentët.

“E përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentët e republikës, për të cilët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin nëntor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore