Lajme

Mustafa: Ndryshimin e Qeverisë qytetarët e kanë vërejtur vetëm në fatura të energjisë


Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ka kritikuar Qeverinë për mosmenaxhimin e krizës energjetike në mënyrë të duhur.

Përmes një konference për media ai ka theksuar faktin se gjatë Qeverisë Kurti është hera e dytë që qytetarët po pësojnë rritje të çmimit të rrymës.

“Për herë të dytë, të gjithë qytetarëve ju rritet çmimi i rrymës, e tëra kjo në kohë kur çmimi i produkteve esenciale janë rritur deri në 50 për qind, kur tatimi në pronë është rritur rreth 100 për qind, kur pagat nuk janë rritur as në sektorin privat e as në sektorin publik”, ka thënë Mustafa.

“Fatkeqësisht, për qytetarët i vetmi vend ku e kanë pa ndryshimin e kësaj Qeverie është në faturat e tyre gjithnjë e më të shtrenjta”.

Tutje, Mustafa ka thënë se ekzekutivi nuk është nuk investuar as në kapacitete të reja që duhet të formohen.

“Kjo qeveri për dy vite nuk ka investuar asnjë cent të vetëm në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në sektorin e energjisë elektrike. Qindra milionë euro të shpenzuara në subvencionimin e energjisë, nuk e zgjidhin problemin afatgjatë të energjisë”, deklaroi Mustafa.

Mustafa shtoi se, “Qeveria nuk mori parasysh as kërkesën tonë për uljen e TVSH-së në faturat e energjisë në 0% deri në tejkalimin e kësaj krize të cilës nuk po i shihet fundi, si rezultat i mospunës së tyre”.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje për krizën energjetike është krijimi i investimeve në kapacitet të reja.

“Investimi i këtyre milionave në krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese është e vetmja zgjidhje afatgjatë e qëndrueshme”.

Teksa, ka përmendur edhe mburrjen e Qeverisë për investimet kapitale.

Por nga këndvështrimi i tij kjo tregon për “dështime ekonomike”.

“Shto këtu faktin që vitin e kaluar investimet kapitale ishin realizuar vetëm rreth 60 përqind, ndërsa qeveria mburret që i kanë tepruar qindra milionë euro dhe ju krijohet një pamje e qartë e dështimeve ekonomike të kësaj qeverie dhe të shtrydhjes financiare të familjeve kosovare”.

Të enjten e 30 marsit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) mori vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike rreth 15 për qind.

Sipas tarifave të reja të energjisë elektrike konsumatorët shtëpiak të cilët do të konsumojnë deri në 300 kilovatë për orë, do të kenë rritje prej 2 euro e 88 centë.

Tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga muaji prill i këtij viti dhe rritja do të jetë e vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

ZRRE-ja, në shkurt të vitit të kaluar kishte miratuar rritjen e tarifave.

Nga ai vendim u prekën konsumatorët shtëpiakë dhe komercialë që shpenzonin mbi 800 kilovat në orë.

Kjo kategori e konsumatorëve u faturua me 12.5 cent për kilovat në tarifën e lartë dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Ndryshe Zyra e Presidentes së Kosovës e kishte pritur me shqetësim mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë në Kosovë, ndërsa kishte kërkuar nga ZRrE-ja që mundësisht të shmanget një vendim i tillë.

E para e vendit kishte rekomanduar që tarifat të mos ndryshohen për shkak të normës së lartë të inflacionit dhe që kostot shtesë të operatorëve të mbulohen përmes pakos 75 milionëshe të BE-së.

“Duke i konsideruar rrethanat e cekura më lart, ZPRK-ja rekomandon që në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave duke inkurajuar komunikimin dhe koordinimin ndërinstitucional, me qëllim të sigurimit të subvencionimit të kostove shtesë të cilat kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar”.

Derisa Qeveria e Kosovës kishte sugjeruar që tarifat për amvisërinë të mbeten të pandryshuara, e të përshtaten ato për bizneset, sidomos ato të mëdha.

Përfundimisht shtrenjtohet prapë energjia elektrike për 15%

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore