Sport

Muriç dhe Burnley shkëlqejnë ndaj Sheffield United


Aro Muriç dhe skuadra e tij, Burnley, kanë shkëlqyer në transfertën e kësaj të shtune përballë Sheffield United duke triumfuar me rezultatin 4-1.

Sheffield-i priti Burnley-n në ndeshjen e javës së 34-të në Premier League, me miqtë që ishin dukshëm më në formë.

Skuadra e Vincent Kompany realizoi katër herë në portën vendase me anë të Jacob Bruun Larsen, Lorenz Assignon, Lyle Foster dhe Johann Gudmundson. Gustavo Hamer realizoi golin e nderit për Sheffield-in.

Në portë për Burnley-in ishte përgjatë gjithë ndeshjes gardiani “Dardan”, Muriç, i cili edhe një herë tregoi një formë të jashtëzakonshme.

Portieri 25-vjeçar u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes, duke marrë notën “9” nga “Sofascore”.

Muriç bëri 10 pritje në total, tetë prej të cilave erdhën nga brenda zonës së rreptësisë dhe tre ishin pritje gati mbresëlënëse.

Statistikat e ish-lojtarit të Manchester City-t plotësohen me 71 prekje të topit dhe një saktësi pasimi në masën 75 për qind.

Me fitoren e arritur, Burnley shkon ne kuoten e 23 pikeve, ne vendin e parafundit ne Premier League. Në katër ndeshjet e mbetura të sezonit, ata duhet të marrin maksimumin për të shpresuar për qëndrimin në kategori.

Sheffield ka luajtur 33 javë deri tani, por me vetëm 16 pikë të grumbulluara, ata janë pothuajse të rënë nga kategoria.

Po këtë të shtunë në Premier League u zhvillua edhe takimi mes Luton Town dhe Brentofrd-it, i mbyllur me fitoren e thellë të miqëve në shifrat 1-5.

Takimi i fundit i kësaj të shtune në Premier League do të jetë mes Wolves-it dhe Arsenal-it, duke filluar nga ora 20:30.

Të dielën do të zhvillohen ndeshjet: Everton – Forest, Aston Villa – Bournemouth, Crystal Palace – West Ham dhe Fulham – Liverpool.

Për shkak të angazhimeve në FA Cup, Manchester City, Chelsea dhe Machester United nuk do të kenë ndeshje në Premier League këtë fundjavë.

Gjysmëfinalet e FA Cup luhen, të shtunën City – Chelsea dhe të dielën Conventry – Man United.

Renditja e Premier League

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore