Lajme

Murati: Rritja ekonomike po vazhdon


Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar, duke dëshmuar qëndrueshmëri të bizneseve përballë sfidave të njëpasnjëshme.

“Sipas ASK-së, për TM4 2023 rritja reale e ekonomisë ishte 3.96%, gjë që ishte në linjë edhe me pritjet tona. Në grafikun më poshtë mund të shihni edhe krahasimin e performancës ekonomike të vendit nëpër vite”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Murati ka theksuar se përderisa me qeveritë e kaluara për 3 vite ekonomisë i shtoheshin vetëm 1 miliardë euro, “me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit”.

Ndryshe, në fund të vitit të kaluar, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, në një konferencë për media pati bërë të ditur se rritja ekonomike ka qenë 3.4 për qind.

Sipas Ismailit, pritjet janë që inflacioni gjatë këtij viti të zbresë në 2.4 për qind.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore