Kosova

Murati: Rritja ekonomike është 5.62%, demanton zërat që heqjen e vizave e lidhnin m me skenare apokaliptike


Hekuran Murati

Sipas Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, rritja ekonomike aktualisht është 5.62 për qind, derisa ka konsideruar se një nga gjërat që ka konsideruar në këtë rritje është edhe liberalizimi i vizave.

Këto komente, Murati i bëri përmes një postimi në Facebook, duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), që operon në kuadër të zyrës së kryeministrit.

“Sipas ASK-së, rritja ekonomike në TM1 2024 ka përshpejtuar edhe më tutje ritmin duke shënuar nivelin 5.62%, që është dukshëm më lartë se tremujori paraprak që ishte 3.96%”, shkroi Murati.

“Pas tejkalimit të stuhisë së krizave globale, dhe stabilizimit të çmimeve, tani gradualisht po i kthehemi potencialit dhe rritjes së synuar”, shtoi.

Kjo, sipas tij, “demanton të gjithë zërat skeptikë dhe prognozat e zymta që me çdo kusht mundoheshin ta lidhnin liberalizimin e vizave me skenare apokaliptike në fillim të vitit”.

“Siç edhe po shihet, liberalizimi i vizave është prej gjërave më të mira që ka ndodhur së fundmi për ekonominë e vendit”.

Sepse, ai potencon se përveç lehtësimit të udhëtimit për të vizituar familjarët në mërgatë, tani edhe bizneset e ndërmarrësit e kanë shumë më të lehtë të gjejnë tregje të reja e të rrisin aktivitetin biznesor.

“Në një nga udhëtimet që kisha së fundmi, kisha rastin të takoj dy të rinj që punonin në fushën e marketingut dhe dizajnit digjital, të cilët po ktheheshin nga një takim që kishin pasur me një klient në Valencia të Spanjës. Diçka vështirë e imagjinueshme para se të hiqeshin vizat”, përfundoi ai.

Ndryshe, opozita, por edhe njohësit e çështjeve ekonomike, vazhdimisht kanë kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për politikat ekonomike, posaçërisht për mungesën e investimeve kapitale.

Nga ana tjetër, një numër i konsiderueshëm i të rinjve janë duke u larguar nga Kosova për në vendet perëndimore, për të kërkuar kështu një mirëqenie më të mirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore