Kosova

Mungesë informacionesh për shqiptarët e arrestuar nga Serbia, zgjidhja mund të bëhet nëse çështja ngritët në dialog


Foto: Albanian Post.

Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, vazhdojnë të jenë në paraburgim në institucionet e Serbisë, të katërtit, ishin arrestuar në periudha të ndryshme, por që akuza ndaj tyre është e ngjashme, ata po dyshohen për “krime lufte”.

Mehmetaj, ishte arrestuar në vitin 2020 në Merdare, ndërsa tre të tjerë u arrestuan në vitin 2024.

Pas tij i arrestuar ishte Hasan Dakaj, me po të njëjtat akuza. Ai u ndalua në janarin e vitit 2024, ndërkaq Sadik Duraku ishte arrestuar në muajin prill, e krejt në fund u arrestua Tefik Mustafa.

Ndonëse nga Kosova kanë kërkuar ndihmë nga institucionet ndërkombëtare për lirimin e tyre, akoma s’është bërë asgjë në këtë drejtim, madje ka informacione të pamjaftueshme për situatën e tyre atje.

Për shkak të mungesës së informacioneve, për ta zgjidhur një situatë të tillë po konsiderohet se e njëjta duhet të ngritët në kuadër të dialogut.

“Të krijohet mekanizëm për ofrimin e përfaqësimin nga avokatet shqiptarë”

Ndërkaq, avokati Florim Shefqeti, konsideron se të arrestuarit duhet të mbrohen nga avokatet shqiptarë.

Shefqeti, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, thekson se për këtë do të duhej të krijohej një mekanizëm.

“Ne konsiderojmë që autoritetet kosovare do të duhej të krijonin një mekanizëm për ofrimin e përfaqësimit nga avokatet shqiptarë të qytetarëve të Kosovës, që ndalohen apo arrestohen në Serbi. Kjo për faktin e përfaqësimit në gjuhën që e njohin, kjo do të ndikonte në njoftimin e familjeve nga avokatët”, thotë ai për Albanian Post.

Pikë kalimi kufitar në Merdarë.

Ky proces, sipas tij s’do ta rëndonte buxhetin e Kosovës.

“Ky mekanizëm do të ndikonte në përfaqësimin dinjitoz dhe nuk do të paraqiste barrë për buxhetin”.

“Smakiqi në gjendje të rëndë shëndetësore”

Avokati i Hasan Dakajt, Xhevdet Smakiqi, në një përgjigje për Albanian Post thotë se gjendja e tij është e rënduar edhe fizikisht, por edhe shpirtërisht.

“Situata e Hasan Dakaj, në Qendrën e Paraburgimit në rr. Boçavanska është e rënduar në aspektin e shëndetit fizik për shkak të ushqimit të dobët dhe keqtrajtimit edhe fizik, por sidomos gjendja e rënduar shpirtërore për shkak se është i arrestuar, i kidnapuar pa asnjë faj sepse s’ka qenë kurrë pjesë e një krimi që akuzohet”, thotë Dakaj për AP.

Tashmë është koha që hetimet ndaj Dakajt të mbyllen ose të shpallet i pafajshëm.

“Procedura hetimore ndaj Hasan Dakajt, nga Prokuroria Serbe ka hyrë në muajin e 6-të dhe supozohet të ngritët aktakuza ose të mbyllen hetimet ndaj tij. Jam në kontakt me avokatin e tij në Beograd dhe po punojmë që të mbyllen hetimet ose të shpallet i pafajshëm në shqyrtimin gjyqësor që sipas afatit ligjor duhet të filloj kah shtatori 2024”.

“Arrestimi i kosovarëve nga Serbia të ngritët në kuadër të dialogut”

Analisti Fidan Ukaj, në një bisedë për Albanian Post thotë se arrestimet janë shpeshtuar dhe do të shpeshtohen çdo ditë e më shumë, në rast se nuk ndërmerren hapa në këtë drejtim.

“Sigurisht që duhet të diskutohet në kuadër të dialogut, pasi që raste të ngjashme janë shpeshtuar dhe po shpeshtohen çdo ditë e më shumë”.

“Do të thotë arrestimet janë si hakmarrje në adresë të Kosovës dhe ky shqetësim i pastërt në rast se ngritët në kuadër të procesit dialoguese mund të marrë një epilog. Lëvizja e lirë është e garantuar e po ashtu edhe vënia e strategjisë e përgjegjshme ose e personave që mund të kenë precedent penal”, sqaron Ukaj për Albanian Post.

Për Ukaj, akuza të tilla të pabazuara në fakt janë akuza hakmarrëse në adresë të Kosovës.

“Të gjitha akuzat janë të fabrikuara e po ashtu janë akuza hakmarrëse në adresë të Kosovës dhe ndoshta veprimeve legale dhe legjitime të institucioneve të Kosovës, që i kanë marrë kohëve të fundit duke i lëshuar grupet kriminale të cilat kanë vepruar në Veri dhe si hakmarrje Serbia i ka shpeshtuar arrestimet e qytetarëve të Kosovës”.

Krerët e Kosovës dhe Serbisë gjatë një takimi në Bruksel. Fotografi nga arkivi.

Meqë, nga institucionet e Kosovës s’u bë zgjidhje, një rrugëdalje duhet të gjendet nga BE-ja.

“Kosova është dashur ta ngrisë këtë shqetësim në Bruksel, ta adresojë me fakte dhe argumente me emra të përveçëm që janë ndaluar nga pushteti i Vuçiç-it atje dhe mendoj se do të merrte zgjidhje një çështje e tillë në mënyrë që faktori ndërkombëtare të bënte presion që qytetarët e Kosovës, të mos ndalohen dhe maltretohen pa fakte dhe argumente”.

Albanian Post ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), lidhur me gjendjen e shqiptarëve të arrestuar në Merdare, por që deri në publikimin e këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.

Për arrestimin e fundit të Mustafës, nga ky dikaster ishte thënë se kanë njoftuar shtetet e QUINT-it.

Kur u arrestuan kosovarët?

Nezir Mehmetaj, ishte arrestuar në vitin 2020 në Merdare, që ishte njëra prej pikave kuftiare mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse në rastin e tij ishin zhvilluar dhjetëra seanca s’është marrë vendim për të.

Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, po ashtu u ndalua në Merdare në janarin e 2024-së.

Edhe Sadik Duraku, u ndalua më 17 prill në një pikë kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë, atij i ishte vazhduar së voni masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.

I fundit që u arrestua ishte Tefik Mustafa, më 1 qershor në Merdare.

Në të kaluarën, autoritetet serbe kishin ndaluar nën të njëjtat dyshime edhe Petrit Dulën, Ramadan Malokun, Hilmi Kelmendin e Mark Kashnjetin, shqiptarë të Kosovës, por ata tashmë janë liruar.

Ata ishin arrestuar nga autoritetet serbe në periudha të ndryshme, veçanërisht gjatë periudhës së viteve të 90’ta, kur tensionet etnike dhe politike ishin të larta në rajon.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore