Lajme

MPJD për Albanian Post: Jemi duke ofruar mbështetje ndaj qytetarëve që mund të ndodhen në Ukrainë


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), qysh më 13 shkurt, u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që “të largohen sa më parë nga Ukraina”.

Por, MPJD-ja nuk e ka bërë të ditur se sa është numri i qytetarëve kosovarë që jetojnë në Ukrainë dhe, tash për tash, nuk ka asnjë informacion për lëvizjen e mundshme të tyre.

Zëdhënësja në MPJD, Qëndresa Fazliu, në një përgjigje për Albanian Post, ka bërë të ditur se janë angazhuar për t’ju ofruar mbështetje qytetarëve të Kosovës, por që deri tani janë kontaktuar vetëm nga një qytetar.

“Deri tani jemi kontaktuar nga një qytetar i Republikës së Kosovës, i cili ka qëndruar në Ukrainë që nga muaji prill 2021”, thuhet në përgjigjen e Fazliut për AP.

Ambasada ka shpjeguar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm më të dhe më 13 shkurt është larguar nga Kievi.

“Ambasada ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të, që tani e një muaj dhe i ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për tërheqje në rast të rrezikut. Ambasada është njoftuar nga qytetari në fjalë, se, më datë 13.02.2022 është larguar nga Kievi përmes rrugëve ajrore në një destinacion të përshtatshëm”.

Ndërsa, sqaron se si institucion kanë vënë në dispozicion të gjitha kontaktet.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë, si Misioni më i afërt gjeografikisht me shtetin e Ukrainës ka vënë në dispozicion numrin e kontaktit dhe email adresën, përmes së cilës ofron mbështetjen ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët për arsye të ndryshme mund të ndodhen në Ukrainë”.

Në njoftim bëhet e ditur se, “MPJD me qëllim të mbrojtjes së të dhënave personale, nuk do ta bëj publik identitetin e personit dhe as lokacionin e tij aktual”.

Ndërsa, thuhet se Ambasada e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me Misionin e Polonisë dhe Misionin e Ukrainës në Pragë.

“Në rast të paraqitjes për ndihmë të qytetarëve të Kosovës, të cilët mund të ndodhen në Ukrainë, do të lehtësojë në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe sipas mundësisë asistojë në evakuimin e tyre”.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, thirrje të ngjashme për shtetasit e tyre kanë lëshuar edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Lexo ngjarjen e plotë duke klikuar KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore