Kosova

MPJD: Kemi njoftuar UNMIK-un për shpalljen “non-grata” të zyrtarit rus


Ndërtesa e MPJD-së

Shefi i stafit në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës, Sharr Jakupi, përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se dikasteri i tij ka njoftuar UNMIK-un më 31 dhjetor të vitit 2021 për shpalljen “non-grata” të njërit prej zyrtarëve të saj.

Jakupi, përmes këtij postimi është kundërpërgjigjur deklaratës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës shpallja “non-grata” e një zyrtari të UNMIK-ut nga autoritetet e Kosovës është vendim jo legjitim dhe se asnjë anëtar i UNMIK-ut nuk është kontaktuar në lidhje me këtë çështje.

“UNMIK-u është njoftuar nga MPJD-ja të premten, më 31 dhjetor 2021, se një nga zyrtarët e tyre ishte shpallur persona non-grata”, ka shkruar Jakupi në Twitter.

Ndryshe Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, më 31 dhjetor njoftoi se me kërkesë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është shpallur “non grata” në Kosovë një zyrtar rus i UNMIK-ut, shkaku i veprimtarive të dëmshme të tij, të cilat kanë cenuar sigurinë kombëtare.

Gërvalla ka theksuar se një lidhje me këtë vendim ishin njoftuar edhe institucionet ligj-zbatuese dhe autoritete përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

Në anën tjetër sipas zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Djuarric, UNMIK-u nuk ka pranuar nga autoritete e Kosovës asnjë njoftim në lidhje se një zyrtar rus i këtij institucioni është shpallur person i pa dëshiruar.

“Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore