Futboll

Mourinho për Bale: Nuk ka trajner në botë që s’do ta aktivizonte


“Nëse Gareth Bale është në formë shumë të mirë, dyshoj të ekzistojë një trajner në botë që nuk do ta nxirrte në fushë”, këto ishin fjalët e Jose Mourinho-s pas fitores së thellë të Tottenham kundër Burnley në Premier Ligë me rezultatin 4-0.

Mbrëmjen e djeshme, uellsiani shënoi dy gola (minutën 2′ dhe 55′) dhe një asist. Pas të parit, festoi Harry Kane në të 15’-ën dhe Lucas Moura në të 31’-ën.

Huazimi nga Real Madrid më 19 shtator të 2020-ës, nuk premtoi shumë; për të mos thënë fare. Mirëpo, paraqitja e 31-vjeçarit po dëshmon të kundërtën, në mos diçka më tepër se aq.

Mourinho nuk e aktivizoi thuajse fare gjatë pjesës së parë të sezonit. Tashmë Mou artikulon faktin se Bale nuk është më “i thatë”, por “është më mirë se kurrë”.

“Ndonjëherë njerëzve u pëlqen të shkruajnë histori dhe tjetër herë, disa prej tyre u pëlqen të imagjinojnë histori, të cilat duhet t’i shkruajnë, ndërsa disa herë, në mos shpeshherë, njerëzve u pëlqen të shkruajnë gjëra që s’janë aspak të vërteta – Ai është më mirë se kurrë teksa flasim. Dyshoj të ekzistojë një trajner në botë i cili nuk do ta aktivizonte. Nuk ka trajner t’i thotë jo Bale-it”, u shpreh Mou.

Pasi hapi lojën për Hotspurs-at, Bale asistoi edhe Kane për golin e tij, por ai ishte pjesë edhe e skenarit që u shkrua për golin e Moura-s.

Lehtësisht faktori kryesor i lojës apo kryelojtari kundër Burnley-t që i dhuroi Tottenham-it fitoren e dytë në shtatë takime të Premier Ligës, Bale foli për Sky Sports:

“Ishte lojë e mirë. Jam stërvitur nga pak në mënyrë që të ruaj ritmin. Po rikthehem në formën time dhe ndihem më mirë që ndihmova ekipin të fitojë”, tha Bale.

Sa u përket kritikave, Bale u përgjigj:

“Jam i vetëdijshëm që prania dhe forma ime ka munguar, por unë vazhdoj dhe do të vijoj të punoj me ngulm. Askush nuk u fshihet dot kritikave, por kam eksperiencë të mjaftueshme për t’i pranuar me modesti, të ul kokën e të mos them budallallëqe”.

Qëndrimi dhe durimi i Mourinho-s ndaj Bale-it po vërteton edhe më largpamësinë e “The special one” (I veçanti – nofka e Mourinho-s).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore