Lajme

Moska po fshin identitetin ukrainas në territoret e pushtuara, sipas OKB-së


Moska ka futur tekste shkollore që justifikojnë pushtimin e vendit në shkollat ​​ukrainase në territoret e pushtuara.

Po ashtu ka “regjistruar” fëmijët në grupet e të rinjve për të rrënjosur në to shprehjen ruse të patriotizmit.

Kështu ka denoncuar Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

Sipas tij, në territoret e pushtuara “ekziston një klimë frike për shkak të shkeljeve të përhapura të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut me të cilat Moska përpiqet të konsolidojë kontroll mbi popullsinë”.

“Veprimet e Federatës Ruse kanë thyer strukturën shoqërore të komuniteteve dhe individëve të izoluar, me pasoja të thella dhe të qëndrueshme për shoqërinë ukrainase në tërësi”, ka theksuar Turk.

Sakaq, një raport i OKB-së i bazuar në më shumë se 2 mijë e 300 intervista detajon përpjekjet e Rusisë për të imponuar gjuhën ruse, ligjet, sistemet gjyqësore dhe programet shkollore në rajonet e pushtuara.

“Që nga fillimi i konfliktit, forcat e armatosura ruse, duke vepruar me pandëshkueshmëri të gjerë, kanë kryer shkelje në shkallë të gjerë, duke përfshirë ndalime arbitrare të civilëve, shpesh të shoqëruara me tortura dhe keqtrajtime, në disa raste që çojnë në zhdukje të detyruara”, ka vijuar ai.

Teksa ushtria ruse fillimisht shënjestroi ata që perceptoheshin si kërcënim sigurie, më vonë zgjeroi rrjetin për këdo që kundërshtonte pushtimin.

Forcat ruse përdorën edhe forcën për të shtypur protestat paqësore, kufizuan lirinë e shprehjes, vendosën kontrolle të rrepta mbi lëvizjet e banorëve dhe plaçkitën shtëpi dhe biznese.

Autoritetet pushtuese mbyllën rrjetet e internetit dhe ridrejtuan kanalet televizive dhe radio në rrjetet ruse.

“Qëllimi është të shtypen shprehjet e kulturës dhe identitetit ukrainas”, ka ravijëzuar Turk.

Veprime të tilla kanë një ndikim veçanërisht serioz te fëmijët.

Banorët e territoreve të pushtuara u detyruan të merrnin pasaporta ruse.

Ndërkohë, ata që refuzuan iu nënshtruan kufizimeve të lëvizjes dhe gradualisht iu mohuan punët në sektorin publik, si dhe aksesi në kujdesin shëndetësor dhe përfitimet e sigurimeve shoqërore.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore