Lajme

“Mos ia ktheni shpinën atdheut”, Limaj thirrje të rinjve: Drejtohemi nga anarkistë, duhet të bashkohemi


Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se aktualisht Kosova po udhëhiqet nga “anarkistë”, duke iu referuar qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti, derisa u ka bërë thirrje të rinjve kosovarë që t’i bashkohen të gjithë ata që nuk pajtohen me mënyrën se si po qeverisë VV-ja.

Këto komente, Limaj i ka bërë në shënimin e 10-vjetroit të partisë që ai drejton, ku pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përfshirë kreun e saj, Ramush Haradinaj, me të cilin para disa javësh bëri një marrëveshje koalicioni parazgjedhor.

“Sot atdheu ynë drejtohet nga anarkistë, pa trashëgimi politike pa asgjë mbrapa, ata qeverisin përmes dramave, mashtrimeve. Sot ne kemi një qeverisje që është ndalur. Më shumë se kurrë, atdheu ynë ka nevojë për normalitet, njerëz të cilët ofrojnë dhe japin zgjidhje, jo nga ata që kudo ku shkojnë japin energji negative”, deklaroi Limaj.

Sipas ish-zëvendëskryeministrit, Kosova ka nevojë për bashkimin e të gjitha atyre energjive që nuk janë të kënaqur me mënyrën sesi po udhëhiqet vendi, derisa u bëri thirrje të rinjve që të mos ia “kthejnë shpinën” atdheut, pasi që konsideroi se problemi nuk zgjidhet duke qenë indiferent e duke ikur nga vendi.

“Mos thoni nuk bëhet shteti, shteti është bërë por duhet me e mbajt”, shtoi Limaj, transmeton “EkonomiaOnline”.

Duke folur për koalicionin me AAK-së, ai tha se janë bashkuar “për të hapur një portë për ata të pakënaqur” me mënyrën e qeverisjes aktuale.

“Bashkohuni me një front të madh për të treguar se jemi ndryshe nga ata që qeverisin. Më shumë se kurrë kemi nevojë të bashkohemi, të ndryshëm si jemi, por kemi një ide te mëdha para vetes, ashtu na ka bashkuar UÇK-ja”.

“Nuk është lehtë me e festu 10-vjetorin një parti në Kosovë, iu falënderoj për besimin. Fronti po zgjerohet se jemi në rrugën e drejtë, në rrugën që prodhoi rezultate. Zoti na ndihmoftë me fitore të reja kudo që kemi prirë ka fituar Kosova”, theksoi kreu i NISMA-s.

Në fjalën e tij, Limaj përmendi edhe kontributin që e ka dhënë partia që ai udhëheqë dhe njerzit e saj për çlirimin dhe për ndërtimin e Kosovës.

“Një Kosovë të zhytur në baltë, ne e transformuam, e sollëm në një shtet krenar me të gjitha shtetet e rajonit; ndërtuam autostrada, shkolla, ushtrinë, policinë. Dallimi ynë është se ne jemi munduar nuk kemi fol atë se çka kanë dashur njerëzit të dëgjojnë; ne duam që përmes politikave reale të fitojë Kosova”, pohoi.

Ndryshe, më 17 janar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA Socialdemokrate kishin nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhor, që nënkupton se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare këto dy parti do të garojnë së bashku.

Marrëveshja në mes të dy partive opozitare, njëra parlamentare e tjera jo, ishte nënshkruar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj.

Në fjalën e tij, kreu i AAK-së kishte theksuar se deri në këtë pikë kanë ardhur pas diskutimeve të shumta që i kanë pasur, derisa bënte me dije se ky partneritet do të zgjerohej me akterë politikë dhe jo vetëm, por nuk kishte specifikuar se me kënd konkretisht.

“Në diskutimet tona të gjata, që kanë ndodhur për muaj, kemi vlerësuar se qytetari i Kosovës ka mbetur i papërfaqësuar dhe është lënë vetëm, e në raste të caktuara edhe i luftuar prej atyre që do duhej të përkujdesej për të; në këto raste i motivuar nga Qeveria e Kosovës, nga kryeministri [Albin] Kurti”, thoshte Haradinaj.

“Ku shihen këto shenjat e luftës që qeveria i bënë ndaj qytetarëve të vet; së pari ndaj kategorisë së lirisë, që janë luftuar nga kjo qeveri, pastaj e mbani mend grevën e arsimit dhe si janë trajtuar mësimdhënësit…”, shtoi.

Nga ana tjetër, kreu i NISMA-s potenconte se marrëveshja mes dy forcave politike është “një lajm i mirë për Kosovën politike, për qytetarët e Kosovës”.

“Tash e një kohë jemi dëshmitar për gjendjen në të cilën është vendi ynë, Kosova. Më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e forcave politike që kanë çfarë t’i japin vendit, dëshirojnë ta shohin ndryshe zhvillimin e vendit, pozicionin e Kosovës, rrugëtimin e saj gjeostrategjik, e shumë e shumë arsye që ne besojmë që qytetarët e Kosovës do të donin t’i shihnin më mirë”, thoshte ndër të tjera Limaj.

Zgjedhjet e ardhshme në kushte normale do të mbahen në shkurt të vitit 2025, ndonëse janë shtuar zërat – edhe nga vetë zyrtarët e lartë të partisë që ka pushtetin, Lëvizjes Vetëvendosje – se mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit 2021 – të fituara me mbi 50 për qind nga Lëvizja Vetëvendosje – AAK dhe NISMA, posaçërisht kjo e fundit, nuk patën rezultate të mira.

AAK e Ramush Haradinajt mori besimin e vetëm 7.1 për qind të qytetarëve të Kosovës, apo përkthyer në mandate deputetësh, 7 sosh.

Nga ana tjetër, NISMA e Fatmir Limajt kishte siguruar vetëm 2.63 për qind të votës totale, për të mos e kaluar kështu pragun prej 5 për qind, që do t’i siguronte asaj ulëse në parlament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore