Lajme

Molliqaj: Vizita e Trëndafilovës në Kosovë është për ta rregulluar imazhin e Speciales – ajo nuk është e mirëseardhur


Foto nga protesta e kaluar e PSD-së kundër Gjykatës Speciale.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, pas vizitës së paralajmëruar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësës Ekaterina Trendafilova, të mërkurën në Kosovë, ka thënë se ajo nuk është e mirëseardhur.

Molliqaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë thirrje tek qytetarët që të bashkohen në protestën kundër vizitës së Trendafilovës.

“Trendafilova nuk është e mirëseardhur këtu”.

“Të bashkohemi të mërkurën me 29 nëntor, ta kundërshtojmë së bashku padrejtësinë që po mundohen t’na e interpretojnë si drejtësi”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka ritheksuar se PSD-ja është e vendosur që Gjykata Speciale të moss arrijë qëllimet e saja.

“UÇK nuk mund të gjykohet. Vizita e z. Trëndafilova në Kosovë është pikërisht për të rregulluar imazhin e kësaj gjykate të padrejtë. Gjykata Speciale është në krizë nga mungesa e thellë e legjitimitetit”.

Gjykatësja Ekaterina Trendafilova, do të mbajë një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë me 29 nëntor.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle.

“Po e konfirmoj vizitën e gjykatëses. Në këtë takim ajo do të flasë për zhvillimet aktuale në DHSK si dhe do t’u përgjigjet pyetjeve. Gazetarët janë të ftuar të marrin pjesë në aktivitet”, kishte thënë Doyle për AP.

Edhe më 20 shtator të 2022-ës, Trendafilova, kishte vendosur që të vizitoj Kosovën.

Kur ajo paralajmëroi vizitën e dytë në atë kohë në Kosovë, ajo nuk do të pritej me duart e hapura.

Pasi që Partia Socialdemokrate, kishte paralajmëruar protestën e radhës, në ditën kur gjykatësja Trendafilova, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë.

Aktakuza e ngritur nga Gjykata Speciale ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore