Lajme

Molliqaj: Qëllimi ishte që të izoloheshim për sa kohë që Trendafilova ishte në Kosovë – kjo s’ka lidhje me drejtësi


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pas lirimit të tij që ishte arrestuar gjatë protestës ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se arrestimi i anëtarëve të PSD-së s’ka pasur të bëjë me drejtësi.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka thënë se qëllimi i Policisë ishte që ata të izoloheshin.

“Unë, Zgjimi, Noli, Agroni, Korabi e Genti sapo u liruam. Dhuna joproporcionale e policore u pa. Ajo nuk ka justifikim. Duke u munduar t’i dëshmohen kryetarës së gjykatës, u vendosëm padrejtësisht në mbajtje dhe ngarkohemi për gjëra të paqena. Këtë e di Gjykata, por qëllimi ishte që ne të izoloheshim për sa kohë që znj. Trendafilova është në Kosovë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi”.

Sipas tij, kjo gjykatë në vazhdimësi po tregon se është “anti- UÇK”.

“Kjo gjykatë, me këtë kryetare, sa më tepër që po mundohet ta rregullojë imazhin, aq më tepër po del në pah sa politike dhe anti-UÇK është. E vërteta nuk lejon makiazhin. Maskë nuk ka më. Ajo u pa”, ka shkruar Molliqaj.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe anëtarët e tjerë nga kjo parti, të cilët u arrestuan të mërkurën gjatë protestës ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, janë liruar të premten.

Të premten po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe anëtarëve të tjerë nga kjo parti, të cilët u arrestuan të mërkurën gjatë protestës ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, t’u caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Ndonëse protesta ishte paqësore ku vetëm u hodh tymues në shenjë revolte, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka akuzuar Molliqajn e anëtarë të tjerë të kësaj partie për “sulm të personit zyrtar” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Se të pandehurit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, vërtetohet nga raportet policore mbi lëndimet e pësuara, nga CD me video incizimet e siguruara nga vendi i ngjarjes, fotografitë nga vendi i ngjarjes, raportet mjekësore mbi lëndimet e pësuara, vërtetimi mbi sendet e sekuestruara”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Anëtarët e Partisë Socialdemokrate kishin gjuajtur tymues afër hotelit ku po qëndronte Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, derisa Policia e Kosovës kishte intervenuar duke e arrestuar kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi, në aksionin e së mërkurës në kundërshtim të Gjykatës Speciale.

Menjëherë pas arrestimit PSD, kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që t’i lirojë aktivistët.

Në reagim po ashtu theksohej se arrestimi i aktivistëve ishte përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për Gjykatën e padrejtë speciale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore