Shqipëria

Misioni në Mesdhe, Peleshi: Profesionalizëm i forcave detare shqiptare


Anija shqiptare “Butrinti” u kthye nga misioni 25-ditor në detin Mesdhe, ku bashkë me anijen kroate “Dubrovnik” patrulluan për sigurimin e linjave detare të transportit.

Këtë e ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ndau publikoi në media sociale momente nga misioni i anijes “Butrinti”.

Ai vlerësoi profesionalizmin e treguar nga forcat detare shqiptare.

Sipas tij, ekuipazhi shqiptar tregoi edhe njëherë profesionalizëm dhe nivel të lartë përgatitjeje në zbulimin, verifikimin dhe ndalimin e mjeteve lundruese që tentojnë të cenojnë sigurinë e mjeteve detare që ushtrojnë aktivitetin e ligjshëm të transportit, tregtisë, turizmit apo peshkimit.

Anija Butrinti dhe një ekip efektivësh të Forcës Detare ishin pjesë e operacioneve të përqendruara (FOCOPS) të NATO-s.

Në ceremoninë e përcjelljes së ekuipazhit – më 20 maj –  në mjedisit e Distriktit Detar të Jugut, Pashaliman,  komandanti i Forcës Detare kundëradmiral Adnand Agastra u shpreh se “duke filluar nga korriku i vitit 2023, vijimi me sukses i pjesëmarrjes në këtë operacion i dedikohet profesionalizmit, stërvitjes, përgatitjes së vazhdueshme të efektivave tanë si dhe ndërveprimit të pandërprerë me Forcat Detare të Aleancës”.

“Profesionalizmi juaj në kryerjen e detyrave të ngarkuara ka marrë jo vetëm vlerësimet maksimale nga Komanda Supreme dhe ajo Detare e Aleancës por edhe nga partnerët dhe aleatët tanë të cilët tek Forca Detare Shqiptare dhe efektivët e saj, shohin një shembull për kontributin e dhënë ndaj Aleancës”.

Më tej në fjalën e tij, komandanti i Forcës Detare u shpreh i bindur se efektivi i anijes do të tregojë profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi gjatë kryerjes së detyrave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore