Kosova

“Misioni i OKB-së në Kosovë është i mbushur me spiunë”


Ilustrim nga "Konrad Audenauer Stiftung"

Politika e Jashtme e Kosovës vitin 2021 e mbylli me dëbimin jashtë vendit të një zyrtari rus të UNMIK-ut.

Me kërkesë të Kryeministrit Albin Kurti, ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, shpalli non-grata zyrtarin rus “aktivitetet e të cilit qenë të dëmshme, dhe cënuese ndaj sigurisë kombëtare”.

Politika kosovare, sipas pushtetit aktual, mbetet “e vendosur në betejën kundër ndikimit malinj (dashakeq) të Federatës së Rusisë”, andaj erdhi edhe shpallja si “person i padëshiruar” i njërit prej, siç pohon ministrja, “satelitëve rusë”.

Në anën tjetër Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) reagoi në mbrojtje të zyrtarit rus të shpallur të padëshiruar, me deklaratën se “janë duke marrë masat e duhura për të siguruar anëtarët e stafit në fjalë, dhe duke kontaktuar autoritetet relevante për këto çështje”.

Sipas Zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephan Dujarric “doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e aplikueshme ndaj personelit të Kombeve të Bashkuara, dhe nuk parashihet brenda rregullacionit 2000/47 të UNMIK-ut (mbi statusin, privilegjet dhe iminutetet e personelit të KFOR dhe UNMIK në Kosovë)”.

Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë

Njëra prej fortifikatave më evidente ruse në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, Ambasada e Federatës së Rusisë në Beograd, veprimin e shpalljes “non-grata” e quajti “tentim për të fituar pëlqimin e mentorëve të tyre perëndimorë”.

Sipas ambasadës ruse në Serbi, një veprim i tillë “nuk ka pasoja ligjore”.

“Ne konsiderojmë se ‘vendimi’ i Prishtinës është vetëm se një provokim i radhës anti-rus dhe anti-OKB në mënyrë që fitojnë pëlqimin e mentorëve të tyre perëndimor. Ne nisemi nga fakti që në pajtim me ligjin ndërkombëtar dhe Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurisë, e cila është kyçe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, kjo gjë nuk ka pasoja ligjore”, u tha në komunakatën e ambasadës ruse.

Profesori amerikan, David Phillips, në një përgjigje për Albanian Post, thotë se zyrtarët rusë brenda Misionit të OKB-së në Kosovë se “gjoja nuk janë pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse”.

“Ata gjoja janë të GRU-së, (Drejtorisë kryesore të inteligjencës së stafit të përgjithshëm të forcave të armatosura ruse), tip i ri KGB-së (Komiteti i Sigurimit të Shtetit në ish-Bashkimin Sovjetik), të dedikuar të gërryejnë për së poshtmi sovranitetin dhe shtetndërtimin e Kosovës”, thotë fillimisht Phillips.

Profesori amerikan në Columbia University, David Phillips

Profesori amerikan, shtjellon për AP se “pavarësisht përkatësive që mund të ketë, ai duhet të shpallet ‘persona non grata’ për punën kundër interesave të shtetit të Kosovës”.

Ai thotë se me sa ka kuptuar janë 14 zyrtarë rusë të emëruar në UNMIK që operojnë në Kosovë.

“Nëse ka të tjerë të cilët punojnë për minimin e progresit të Kosovës”, thotë David Phillips, “që të gjithë duhet të shpallen të padëshiruar dhe t’u jepen 24 orë për t’u larguar nga vendi”.

Sipas profesorit amerikan, reagimi i OKB-së ndaj dëbimit të zyrtarit rus, “vetëm sa e thekson nevojën për ta anuluar Rezolutën 12/44”.

Këtë problem, konsideron ai, OKB mund ta zgjidhë duke u thënë zyrtarëve rusë, të cilët janë të përfshirë në aktivitete “të poshtra” që të largohen nga Kosova.

“Nëse ata nuk i bëjnë gati valixhet dhe të ikin me kërkesë të OKB-së, atëherë forcat e rendit të Kosovës duhet të ndërmarrin veprime ndaj zullumqarëve rusë”.

Profesori amerikan propozon se “në rast se Departamenti amerikan i Shtetit insiston që të (mirë)mbahet ende UNMIK-u, Qeveria e Kosovës duhet të niset për në Capitol Hill dhe të kërkojnë miratimin e një rezolute për përjashtimin e përfaqësuesve të GRU-së ruse që operojnë në Kosovë nën maskën e OKB-së”.

Në rastin e njëqindvjetorit të GRU-së: Putin vlerëson ‘aftësitë unike’ të saj

“Rezoluta do të duhej të përmbante thirrje për shfuqizimin e Rezolutës 12/44, që siguron justifikim në Kongres brenda 30 ditësh dhe që qartëson pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi asaj 12/44, dhe vazhdimisësisë së operimit të Misionit të OKB-së, mision ky i mbushur me spiunë”, përfundon ai për Albanian Post.

Gazetarja ruse, Julia Petrovskaya, për Albanian Post thotë se incidente me diplomatë rusë në Kosovë janë bërë të shpeshta vitet e fundit.

“Autoritetet ruse besojnë se Kosova nuk ka të drejtë të dëbojë diplomatë rusë që punojnë në UNMIK, dhe e bazojnë këtë në Rezolutën 12/44”.

“E gjitha kjo duhet të shihet brenda kontekstit më të gjerë të marrëdhënieve të këqija mes Rusisë dhe Kosovës, dhe brenda politikave ruse në Ballkan, të cilat më së shpeshti janë të lidhura me mbështetjen që u japin autoriteteve serbe”, thotë Petrovskaya.

Gazetarja ruse, Yulia Petrovskaya

Sipas saj, është mëse e qartë se nuk bëhet fjalë për ndryshim qëndrimesh të Rusisë karshi njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe se Rusia do të vazhdojë “përpjekjet për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Por edhe Kosova, sipas saj, “do të vazhdojë të dëbojë diplomatë rusë kurdo që i jepet mundësia”.

“Nuk e di nëse UNMIK-u do të ketë sukses në mbrojtjes e përfaqësuesve rusë, por sidoqoftë, pozicioni i tyre është gjë që dihet: doktrina n0n-grata nuk u aplikohet atyre”, thotë ajo.

Sipas saj, edhe në vitet në vijim UNMIK do të vazhdojë operimin në Kosovës “ndonëse aleatët perëndimorë të Kosovës kanë kërkuar që ajo të tërhiqet”.

“Por”, konsideron Petrovskaya, “numri i vogël i diplomatëve rusë në Kosovë nuk ka mundësi të afektojë situatën e sigurisë në Kosovë”.

“Për më tepër, mundësia që Rusia të ndikojë brenda Kosovës mbetet tejet e kufizuar”, përfundon Julia Petrovskaya për Albanian Post.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, në një përgjigje për Albanian Post rreth shpalljes së zyrtarit rus “non-grata” qëndron më skeptik në raport me një veprim të tillë, nëse nuk është koordinuar me aleatët ndërkombëtarë.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa

“Nëse Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka e koordinuar aksionin e dëbimit të punonjësit rus të UNMIK-ut me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, dhe e ka përzgjedhur mu ditën e vitit të ri për këtë, atëherë ka dashur të bëjë vetëm një PR (Public Relation) të dobët”, thotë ai për AP.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuara, dy Anëtarë të Përheshëm të Këshillit të Sigurisë në OKB, janë shprehur kundër vazhdimit të mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, të cilën e kanë quajtur irrelevant dhe “shpenzim parash”.

Por, dy Anëtarët tjerë të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, përkatësisht Rusia dhe Kina, decidivisht këmbëngulin që misoni të mbesë.

Anëtarja e pestë e Këshillit të Sigurisë, Franca, nuk e ka artikuluar pozicionin e saj rreth vazhdimit të misonit të OKB-së në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore