Shqipëria

Miratohet statuti i ri i Akademisë së Shkencave


Asambleja e Akademisë së Shkencave ka miratuar statutin e ri.

Paçka debateve tanimë janë miratuar ndryshimet e propozuara nga kryesia, në një kapitull të tërë që ka të bëjë me integrimin e Instituteve albanologjike në Akademinë e Shkencave pas Mbylljes së Akademisë Albanologjike.

Sipas vendimit, me pjesëmarrjen në votim të 51 anëtarëve me 47 vota pro, 3 kundra, 1 abstenim, është miratuar gjithë përmbajtja e Kreut VI, Shtesë në Statut, hartuar nga Kryesia e ASHSH, për institutet e qendrat.

Vendimi ngarkon kryesinë të ndjekë hartimin e projekt-rregulloreve të instituteve / qendrave të përhershme dhe të reflektojë në kreun-shtesë në Statut mendimet e vërejtjet e drejtuesve dhe këshillave shkencore të tyre si dhe të anëtarëve të Asamblesë, deri në muajin tetor 2024, për t’ia paraqitur për miratim përfundimtar asaj.

Sipas statutit, “Zgjedhjet e drejtuesve të instituteve dhe të qendrave kërkimore- shkencore sipas këtij statuti bëhen në fund të vitit 2024.

Këshillat shkencorë të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja dhe drejtorët caktohen nga Kryesia e AShSh-së.

Anëtarët e zgjedhur të këshillave shkencorë të deritanishëm vazhdojnë të jenë anëtarë të këshillave shkencorë përkatës.

“Drejtuesi i institutit / qendrës duhet të ketë të paktën kategorinë Mjeshtër kërkimesh. Ai zgjidhet / emërohet për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje ose riemërimi vetëm një herë. Drejtuesi i institutit është përfaqësuesi ligjor i tij dhe drejton këshillin shkencor” thuhet në statutin e ri.

Zgjedhja e drejtorëve të instituteve bëhet me votim të drejtpërdrejtë e të fshehtë nga trupa zgjedhore e përbërë nga punonjësit kërkimorë- shkencorë e anëtarët e komisionit të përhershëm përkatës.

Kandidati i zgjedhur emërohet nga Kryesia e ASHSH.

Për qendrat, si rregull, drejtuesi zgjidhet nga Kryesia e ASHSH, me propozim të bordit shkencor të qendrës. Për rastin kur qendrat që kanë këshill shkencor të përbashkët me një institut/qendër tjetër, zgjedhja bëhet si për drejtuesit e instituteve.

Si funksionon Albanologjia, pas shkrirjes me Akademinë e Shkencave?

Pas shkrirjes së Akademisë së Studimeve Albanologjike, tashmë është bërë më e qartë edhe skema se si ky dikaster do të funksionojë, me shkrirjen që i bëhet në strukturat e Akademisë së Shkencave.

Një vendim i fundit i Këshillit të Ministrave ka sjellë një rezultat, ku është miratuar edhe një vendim mbi funksionimin e gjashtë instituteve brenda ASH-së.

Deri në fund të vitit 2023, këto institute kanë funksionuar si institucione më vete, por gjithçka do të ndryshojë me hyrjen në fuqi të ligjit të ri.

Kështu, sipas vendimit, është kërkuar ngritja dhe organizimi i njësive të përhershme të kërkim-studimit në Albanologji, pranë Akademisë së Shkencave.

Këto njësi të përhershme, krijohen si njësi vijuese të veprimtarisë në fushën e albanologjisë të njësive kryesore të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Ato ndahen në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Institutin e Arkeologjisë dhe atë të Historisë.

Po ashtu, krijohet njëkohësisht edhe Instituti i Antropologjisë pranë Akademisë dhe dy qendra, ajo e Studimit të Arteve dhe ajo për Botimet Enciklopedike dhe Albanologjike.

Çfarë përshkruhet më tej në pika, në këtë vendim të Qeverisë?

Qëllimi, fusha e kërkimit të njësive të përhershme të kërkim-studimit, mënyra e funksionimit dhe e organizimit të tyre, organet drejtuese dhe strukturat përbërëse përcaktohen në statutin e tyre përkatës, pjesë përbërëse e statutit të Akademisë.

Njësitë e përhershme të kërkim-studimit organizohen dhe funksionojnë sipas përcaktimeve në statutin e Akademisë, në rregulloret e brendshme të tyre dhe kuadrin ligjor në fuqi. Marrëdhëniet dhe raportet e njësive të përhershme të kërkim-studimit me strukturat ekzistuese të Akademisë dhe me organet e saj drejtuese rregullohen sipas përcaktimeve në ligjin nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në statutin e Akademisë.

Njësitë e përhershme të kërkim-studimit të organizuara si institute drejtohen nga drejtori dhe kanë në përbërje departamentet, të cilat drejtohen nga përgjegjësit e tyre, ndërsa njësitë e përhershme të kërkim-studimit të organizuara si qendra drejtohen nga drejtori dhe kanë në përbërje sektorët, të cilët drejtohen nga përgjegjësit e tyre. Në mbështetje të këtyre njësive të përhershme, funksionon dhe administrata ndihmëse e këtyre njësive në bashkëpunim me administratën e Akademisë, si pjesë e nën drejtimin e saj, në përputhje me rregulloret e brendshme të këtij institucioni.

Njësitë e kërkim-studimit të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, kanë buxhetin e tyre si zë më vete në buxhetin vjetor të Akademisë, i cili detajohet për shpenzimet e personelit dhe shpenzimet e tjera korrente me vendim të Kryesisë së Akademisë. Procedurat për çeljen e buxhetit të tyre përcaktohen në udhëzimin vjetor të zbatimit të buxhetit.

Njësitë e kërkim-studimit në albanologji e ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe përdorin asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, së bashku me tërësinë e aseteve dhe të fondeve të trashëgimisë të kaluara në administrim të Akademisë, nëpërmjet vendimit nr.338, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e njësive kryesore të saj”.

Marrëveshjet në fuqi, nënshkruar nga përfaqësues të Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) apo të njësive në përbërje të saj me institucione apo njësi të ngjashme, vendase apo të huaja, ruajnë vlefshmërinë juridike për sa kohë nuk ka kërkesë për revokim nga palët nënshkruese përgjegjëse. Marrëveshjet e lidhura në nivel institucional ndiqen nga Akademia, ndërsa marrëveshjet me palë nënshkruese njësitë e ASA-s ndiqen nga njësitë e përhershme përkatëse të kërkim-studimit, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

Kërkuesit shkencorë të njësive të përhershme gëzojnë të njëjtin status si të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë. Kategoria dhe struktura e pagave të tyre përcaktohen në përputhje me vendimin nr.748, datë 11.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit e personelit akademik të institucioneve të arsimit të lartë”, të ndryshuar. Për personelin akademik, nivelet e pagave sipas kufirit minimal të vendimit të sipërcituar garantohen nga buxheti i shtetit i miratuar për Akademinë.

Për personelin administrativ, kategoria dhe struktura e pagave të tyre përcaktohen në përputhje me shkronjën “ç”, të pikës 1, të vendimit nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”.

Për punonjësit mbështetës, kategoria dhe struktura e pagave të tyre përcaktohen në përputhje me vendimin nr.326, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e punonjësve mbështetës edhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike”.

Organika e njësive të përhershme të kërkim-studimit për punonjësit kërkimorë, shkencorë, administrativë dhe mbështetës përbëhet nga 127 (njëqind e njëzet e shtatë) punonjës.

Të ardhurat e ASA-s për vitin 2023 trajtohen sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor për arsimin e lartë, duke u mbartur dhe në vitin 2024 dhe përdoren me vendim të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, për njësitë përgjegjëse të përcaktuara në këtë vendim.

E ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi ndërkaq, është drejtpërdrejt Akademia e Shkencave dhe efektet financiare të vendimit nisin menjëherë në vitin 2024, që prej 1 janarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore